Shqipëria shkroi historinë teksa në Lojërat Olimpike të Parisit, arriti të koleksionojë dy medaljet e para.
Chermen Valiev dhe Islam Dudaev, janë futur në histori si medalistët e parë për Shqipërinë në Lojërat Olimpike.
Por kush janë dy kampionët e mundjes së stilit të lirë, që po shkëlqejnë me flamurin kuqezi dhe cilët janë profilet e tyre?
Valiev, 25-vjeç nga Osetia Veriore, vetëm pak muaj më parë u pajis me pasaportë shqiptare, duke i mbyllur procedurat në kohë rekord, për të siguruar në limite edhe kualifikimin për në “Paris 2024” në turneun botëror që u mbajt në Turqi.
Para se të vishej kuqezi, Valiev ka përfaqësuar Rusinë, ndërsa rezultatet e tij më të mëdha kanë qenë tituj kampionë Bote dhe Europe për moshat U-23.
Për sa i përket Islam Dudaevit, ai është pjesë e Shqipërisë që prej vitit 2022, i veshur kuqezi njëkohësisht me Zelimkhan Abakarovin.
Dudaev, 29-vjeç, ka lindur në Dagestan, ndërsa para se të konkurronte me Shqipërinë, arritjet e tij më të mëdha me Rusinë janë dy medalje bronzi në Botërorin U-23.
Me flamurin kuqezi sukseset kanë qenë më të shumta, pasi Dudaev është shpallur kampion i Europës gjatë këtij viti, ndërsa ka fituar medalje bronzi në Europianin 2022 dhe në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”.
Gjithashtu, regjistron suksese të ndryshme në turnetë ndërkombëtarë “Grand Prix”.