Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund të ketë asociacion një-etnik në Kosovë.
“Se çfarë do të ndodhë me Asociacionin e ka thënë edhe peticioni i qytetarëve, edhe veprimet e atëhershme opozitare, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Në Kosovë nuk mund të kemi asociacion një-etnik. Pra, është e domosdoshme t’i integrojmë të gjithë qytetarët, pa dallim etnie”, tha Kurti.
Haradinaj ka kërkuar nga kryeministrit Kurti që t’i ndalë mashtrimet me dialog teksa i ka dërguar Kurtit tre pyetje përmes Facebook.
“E para: a jeni kundër Asociacionit, apo jeni kundër Asociacionit në bazë të Kushtetutës së Kosovës?
Pyetja e dytë: A keni propozuar Asociacion gjeografik, çka nënkupton ai dhe a është në bazë të Kushtetutës së Kosovës?
Dhe pyetja e tretë: nëse keni propozuar Asociacion gjeografik, atëherë na trego pse ky Asociacion është më i mirë sesa Asociacioni në bazë të Kushtetutës së Kosovës të cilin e përkrah edhe Amerika edhe BE-ja?”, shkroi Haradinaj.
Në fund të postimit Haradinaj kërkoi prej Kurtit që t’u përgjigjet saktë pyetjeve dhe të ndalë mashtrimin me dialog.