Ashley Young e mbyll zyrtarisht aventurën e tij 18 mujore me fanellën e Interit në Milano, pasi i përfundoi kontrata me zikaltrit dhe vendosi të rikthehet sërish në Premier League.
Mesfushori anësor ka kryer vizitat mjekësore dhe më pas ka firmosur kontratë një vjeçare me klubin e Aston Villa-s, fanellën e të cilëve e ka veshur edhe më herët për 4 sezone në periudhën 2007-2011.
Young u kërkua nga disa klube angleze, duke qenë se ishte futbollist i lirë dhe pavarësisht 35 viteve mbi supe, dëshmoi te Interi se ka ende shumë për të dhënë në fushën e lojës, por në fund zgjodhi t’i bashkohet Aston Villa-s.
“Duket e jashtëzakonshme të rikthehem këtu, duket sikur nuk jam larguar asnjëherë. Ishte një emocion i madh të ritakoja sërish disa fytyra të vjetra dhe të zbrisja në ambientet stërvitore të klubit ku kam kaluar disa sezone, ndaj jam shumë i lumtur që u riktheva këtu”, deklaroi Young.