Departamenti Ligjor dhe i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit njofton se ka përfunduar procesi i licencimit të klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe të gjitha klubet kanë dorëzuar pranë FSHF-së dokumentacionet lidhur me procesin e licencimit për edicionin futbollistik 2024-2025.
Pas përfundimit të këtij procesi dhe kontrollit të dokumentacioneve të dorëzuara nga klubet, Komisioni i Licencimit vendosi që: KF Egnatia, FK Partizani, KF Vllaznia, KF Tirana, KF Teuta, FK Dinamo City, KF Laçi, FK Kukësi, KFF Vllaznia dhe FK Apolonia të marrin licenca për pjesëmarrje në kompeticionet e UEFA-s dhe FSHF-së për sezonin 2024-2025.
Sakaq, për shkak të mospërmbushjes së gjashtë kritereve që kërkohen për marrjen e licencës, që janë: kriteri sportiv, ai i përgjegjësisë sociale në futboll, i infrastrukturës, kriteri i administratës dhe personelit, kriteri ligjor dhe kriterin financiar, klubeve KF Skënderbeu dhe FK Erzeni u refuzohet licenca për pjesëmarrjen në kompeticionet e UEFA-s për sezonin 2024-2025.