Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në ambjentet e Kuvendit, u diskutua edhe kërkesa për mocion për debat, nga ana e grupit parlamentar opozitar të udhëhequr nga deputeti Gazment Bardhi, lidhur me laboratorin e drogës në Xibrakë.
Por kjo kërkesë nuk ka gjetur dakordësinë e mazhorancës. Bardhi u shpreh se kjo çështje ka krijuar një problem të madh në trafikun e drogës dhe kjo duket edhe nga raportet ndërkombëtare.
‘Ju mund te jeni dakord që të mos ekzistojë opozita por se keni në dorë ju. Kërkesa për mocion me debat, është e drejtë e opozitës. Ju folët për çështje të ezauruar, por ju kujtoj se laboratori o Xibrakës nuk është çështje e ezauruar. Ka një dosje të veçuar e cila është në sirtar dhe nuk nuk është trajtuar.
Raportet ndërkombëtare flasin për një problem të shtuar të trafikut të drogës. Prandaj do duhet të ketë mocion për këtë çështje. Por ju s’keni interes kur folët për grabitje prone, s’keni interes kur folët për ekonominë, s’keni interes kur folët për krimin’, tha Bardhi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialisty Bledi Çuçi tha se nuk ka vend për debat në një çështje që i përket gjyqësorit.
“S’kemi si te vendosim sot një datë për mocionin, kur mendojmë se ky mocion s’duhet zhvilluar fare pasi janë çështje të stër-ezauruara. Nga mënyra si është parashtruar kërkesa s’ka vend fare për mocion. Kërkesa e opozitës lidhet me çështje që janë gjykuar nga drejtësia madje edhe me vendime të formës së prerë, që janë ezauruar edhe në debatet parlamentare dhe komisionet hetimore parlamentare. Nuk mund të ulemi sot të flasim për datën e një mocioni”, deklaroi Çuçi.