Sulmi me armë në shkollën finlandeze, policia: Vajza shqiptare është në gjendje të rëndë

Një vajzë shqiptare nga Kosova mbeti e plagosur gjatë një sulmi me armë në një shkollë në Finlandë. Lajmi është konfirmuar gjatë ditës së sotme edhe nga policia finlandeze.

Në raportin e policisë theksohet se gjatë sulmit me armë ka mbetur i vrarë një djalë, dhe janë plagosur dy vajza. Në raport theksohet se vajza shqiptare është shtruar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

“Nga të shtënat me armë në shkollë ka mbetur i vrarë një djalë, dhe janë plagosur dy vajza, ku njëra prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë. Viktima është nga Finlanda, kurse vajzat janë njëra finlandeze dhe tjetra nga Kosova”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës njoftoi një ditë më parë se nga sulmi me armë në Finlandë kishte mbetur edhe një vajzë shqiptare.

“Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta/Finlandë, respektivisht shkollën Viertola, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova”, është thënë në njoftim.

Por, tashmë është zyrtare edhe nga autoritetet finlandeze që thonë se vajza nga Kosova është e lënduar rëndë.


Shtuar 3.04.2024 20:16