“Mbreti i gjuajtjeve të lira”, rrugëtimi i veçantë i Enis Bardhit deri në “Euro 2020″

“Mbreti i gjuajtjeve të lira”, “Lionel Messi i Levantes”, “Djaloshi, topat e të cilit kanë sy” – janë disa nga përshkrimet që mediumet spanjolle bënë për Enis Bardhin pas edicionit debutues, 2017/2018, me fanellën e Levantes.

Ai tani është një ikonë e vërtetë e Levantes, një nga lojtarët e huaj më të mirë në histori të klubit spanjoll.

Futbollisti shqiptar nga Shkupi e nisi karrierën në kategoritë e reja të klubit Shkupi. Talenti i tij ishte vënë re nga trajneri i Maqedonisë së Veriut U-15, Goran Petrevski, i cili e ftoi në ekipin përfaqësues. Më pas Bardhi papritur zhduket nga “harta e futbollit” pasi familja e tij vendosi të vendosej në Suedi.

“Që nga largimi për në Suedi unë humba çdo kontakt me strukturat e Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe me ekipin përfaqësues. Ndalova të luaja futboll për një kohë. Por, në moshën 17-vjeçare Brondby i Danimarkës më pa duke ushtruar dhe u bashkova në Akademinë e këtij klubi. Sidoqoftë, unë nuk luaja shumë në ekipet përfaqësuese të të rinjve, sepse isha disi i përfshirë në mënyrë të pamjaftueshme në futboll”, tha Bardhi për sajtin maqedonas “ekipa.mk”. Ai u zbulua për publikun e Maqedonisë së Veriut përmes paraqitjeve në ekipin e të rinjve pas thirrjes nga Blagoja Milevski.

“Deri në vitin 2014 unë disi isha jashtë, por më pas erdhi transferimi në Ujpest të Hungarisë dhe pastaj trajneri Blagoja Milevski më përfshiu në ekipin e përfaqësueses nën moshën 21-vjeçare, me të cilën ne luftuam për ‘Euro 2017’”, kujton Bardhi.

Menjëherë pas Evropianit të vitit 2017 që u organizua në Poloni, Bardhi realizoi një transferim në Levante, duke përmbushur dëshirën e tij të luajë në La Liga.

Pasi mbërriti te Levante, ai u bë shënuesi më i mirë i klubit me 19 gola. Ai gjithashtu kaloi Mustapha Rigan, i cili ka mbajtur rekordin me 17 gola të shënuar në një edicion. Bardhi 25-vjeçar tashmë ka tejkaluar numrin e 100 ndeshjeve me fanellën e Levantes dhe është vetëm lojtari i nëntë në histori të klubit që arrin numrin treshifror të paraqitjeve në një prej ligave më të forta të Evropës.

Në vitin 2018, Bardhi u bë shënuesi i dytë më i mirë në Evropë nga goditjet e dënimit, menjëherë pas Lionel Messit, me pesë gola. Dhe, në vitin 2020 ai mori çmimin për lojtarin e huaj më të mirë në histori të Levantes.

Çmimet e shumta tashmë e dallojnë atë në ekipin përfaqësues të Maqedonisë së Veriut. Kjo është arsyeja pse publiku kishte frikë se ai nuk do të ishte në dispozicion për Evropian për shkak se në ditën e parë të grumbullimit për “Euro 2020” rezultoi pozitiv në testin për koronavirus.

Por së fundi në Maqedoninë e Veriut morën një lajm pozitiv, pasi Bardhi dhe gjithë të tjerët dolën negativë në testin për koronavirus. Të martën ekipi përfaqësues ka mbërritur në Bukuresht të Rumanisë, ku e luan ndeshjen e parë.

“Falënderoj të gjithë për mbështetjen që ma kanë dhënë në këtë kohë. Me padurim pres Kampionatin Evropian. Shihemi në Bukuresht”, tha Bardhi para se të nisej drejt kryeqytetit rumun.


Shtuar 8.06.2021 19:32