I riu vdiq gjatë garave me makina, tre të arrestuar në Kosovë. Ikën nga vendi i ngjarjes pa i dhënë ndihmën e parë viktimës

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona për rastin e vetaksidentit të enjten në Gjilan, ku për pasojë humbi jetën një person. Të arrestuarit dyshohet se nuk e kanë ndihmuar viktimën, por janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për mosdhënie të ndihmës në raste të tilla dhe nëse ka viktima, Kodit Penal, parasheh dënim me burgim deri në 8 vjet

Pjesë të veturës, copëza xhami e njolla gjaku. Kjo është ajo çka mbetur në vendin e aksidentit tragjik në Miresh të Gjilanit dy ditë pasi një veturë u përplas me shkëmbinjtë për të kaluar më pas në anën tjetër të rrugës.

Lidhur me rastin, banorë të këtij vendi i kanë treguar televizionit se të rinjtë ishin duke bërë gara me makina dhe se aksidentet në këtë zonë nuk janë të rralla.

Në veturë bashkë me viktimën ka qenë edhe një person tjetër i cili ka pësuar lëndime trupore.

 

 

Por në prangat e Policisë kanë përfunduar tre persona të tjerë që kanë qenë në vendin e ngjarjes, të cilët janë identifikuar të premten.

“Lidhur me rastin, më datë 26.01.2024 njësiti hetuesisë ka identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit në ditën kritike kanë qenë së bashku me viktimën. Pas aksidentit të njëjtit nuk kanë ofruar ndihmë viktimës, por janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Policia.


Shtuar 28.01.2024 09:08