Manchester City do të vazhdojë të jetë pa shërbimet e Erling Haaland, edhe për duelin e së shtunës ndaj Newcastle United në kuadër të Ligës Premier.
23-vjeçari nuk ka qenë në dispozicion të Guardiolas që nga muaji dhjetor për shkak të një lëndimi në këmbë, duke humbur kështu shtatë ndeshjet e fundit të ekipit në të gjitha garat.
Një tjetër mungesë për këtë ndeshje, tashmë e konfirmuar nga ana e teknikut spanjoll është edhe qendërmbrojtësi anglez John Stones.
Kevin De Bruyne po shkon drejt rikuperimit të plotë teksa disa ditë më parë ai luajti ndaj Huddersfieldit minutat e para, që prej lëndimit që e la atë jashtë fushave për plotë katër muaj.
“Grealish ka qenë i sëmurë. Shpresoj që sot do të rikthehet. Erling nuk do të luajë, po ashtu as Stones. Mendoj se kjo është e tëra”, ka thënë Guardiola.
Haaland udhëtoi me pjesën tjetër të ekipit në Arabinë Saudite, ku triumfuan në Kupën e Botës për Klube, por norvegjezi u detyrua që t’i përcjellë ndeshjet nga banka dhe nuk luajti asnjë minutë.
Stones në anën tjetër pësoi një lëndim në kyçin e këmbës në duelin ndaj Evertonit dhe u detyrua të largohej nga loja në pjesën e parë, në atë që ishte vetëm ndeshja e pestë që e nis nga minuta e parë.
City në rast fitoreje, mund të zbusë diferencën në vetëm dy pikë ndaj liderit të tabelës Liverpool, që aktualisht ka 45 pikë. /Telegrafi/