Shkëndija firmos me talentin shkupjan, Anes Meliqin

Skuadra e Shkëndijës ka njoftuar se ka bërë të vetin talentin shkupjan, Anes Meliqin.

Kuqezinjtë kanë firmosur kontratë profesionale me mbrojtësin nga kryeqyteti, duke arritur marrëveshje për tre vite e gjysmë.

“Kjo kontratë ka shumë domethënie për mua.Ndjenja është e mrekullueshme. Jam shumë i kënaqur sepse, që kur isha fëmijë, e kam ëndërruar këtë moment. Të them tani se jam një futbollist profesionist është një ëndërr e bërë realitet për mua dhe dua vetëm të falënderoj të gjithë stafin dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur. Premtoj se do të jap gjithçka nga vetja për t’ua kthyer besimin me paraqitje në fushë”, deklaroi tejet i emocionuar, Anes Meliqi pas firmosjes së kontratës së parë profesionale në karrierën e tij.

Me një eksperiencë të dalluar në moshat e reja kuqezi, mbrojtësi 18-vjeçar tashmë një periudhë stërvitet me ekipin e pare tetovar. Ai ka zhvilluar disa paraqitje në ndeshje kontrolluese, duke treguar aftësi të shkëlqyera dhe pasion për lojën. Meliqi luan edhe me përfaqësueset e shpresave të Maqedonisë, ku është edhe kapiten i gjeneratës U17. /Telegrafi/


Shtuar 12.01.2024 20:39