Serie A pritet ta bëjë ndryshimin e madh, klubet kryesore e përkrahin idenë

Bisedimet ‘joformale’ për uljen e ekipeve të Serie A nga 20 në 18 kanë filluar, por vetëm klubet kryesore janë në favor të kësaj ideje momentalisht.

Sipas La Gazzetta dello Sport, klubet e mëdha të Italisë dhe presidenti i Lega Serie A, Lorenzo Casini, filluan të hënën bisedimet jozyrtare mbi një shkurtim të mundshëm të Serie A në 18 ekipe.

Diskutimi për riformësimin e ligës nuk ishte në rendin e ditës, prandaj bisedimet janë ende në një fazë paraprake, por debati do të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme, ndoshta duke filluar nga 26 janari kur presidenti i FIGC, Gabriele Gravina do të marrë pjesë në asamblenë e Lega Serie A.

Mediumi italian shton se klubet më të mira italiane pajtohen që Seria A duhet të shkurtohet në 18 ekipe, sepse lista e ndeshjeve do të bëhet edhe më e ngarkuar në vitet e ardhshme me formatet e reja të Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Botës për Klube nga vera e vitit 2025.

Skuadrat kryesore të Serie A argumentojnë gjithashtu se Ligue 1 dhe Bundesliga aktualisht kanë 18 ekipe.

Nga ana tjetër, klubet e mesme dhe të vogla kanë frikë se një Serie A me 18 skuadra do ta bëjë më sfiduese garën e mbijetesës dhe se reduktimi i skuadrave do të ndikonte financiarisht te të gjitha klubet, veçanërisht për sa i përket të drejtave televizive vendase.

Klubet në favor të zvogëlimit të numrit të ekipeve të Serie A kanë nevojë për të paktën 14 vota favorizuese dhe ka shumë pak gjasa që ata të kenë një kuorum së shpejti.

Në të njëjtën kohë, presidenti i FIGC-së, Gravina po shtyn të riformojë futbollin italian duke reduktuar numrin e klubeve profesionale, i cili aktualisht është 100 në Itali. /Telegrafi/


Shtuar 9.01.2024 16:52

Tags: