Kryministri Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë vazhduar përplasjet me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn. Shkak për këtë janë bërë deklaratat që Isufaj i dha në konferencën vjetore. Deklarata Isufaj, se ai e kishte dhënë pëlqimin që të tërhiqej urdhër-arresti ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, nxiti shumë reagime.
Pas gati tri vjetësh, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka pranuar dje për herë të parë se ai kishte dhënë pëlqim për këtë çështje, derisa arsyet tha se s’mund të ndahen me opinionin.
Këtë deklaratë, Isufaj e dha në konferencën e fundvitit, ku shtoi se urdhërarresti i është rikthyer të njëjtit.
“Sa i përket tërheqjes së urdhër-arrestit për Radojiçiqin, ajo është çështje komplet e brendshme e Prokurorisë dhe të jeni të sigurt se ne nuk mund të ndajmë shumë detaje pë opinionin për rastet që ne i trajtojmë. Duhet ta dinë qytetarët e Kosovës se ai nuk ka qenë kurrë në paraburgim. Është tërheq për një kohë urdhërarresti, i cili në ndërkohë iu ka rikthy”, tha kryeprokurori.
Tutje, Isufaj tha se pa miratimin e tij, s’do të mund të tërhiqej urdhër-arresti.
“Pa miratimin tim, s’kish mujt me ndodhë. S’diskutohet kjo. Unë e kam dhënë pëlqimin, por arsyeja pse e kam dhënë, s’mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, çështje të hetimit. Nuk mundet me ditë opinioni secilën situatë, pse ne, çka bëjmë. Unë në fakt nuk preferoj me i komentu rastet që i kemi nën hetim. Megjithatë, po ka urdhër-arrest dhe ai urdhër-arrest është bërë me kërkesë të Prokurorisë Speciale, prej prokurorit përkatës”, shtoi ai.
Ai u pyet edhe për deklaratën e ish-prokurorit, Sylë Hoxha, i cili në “Pressing” të T7 kishte thënë se ka pasur njerëz që janë interesuar që Radojçiqit t’i largohet urdhër-arresti.
Hoxha nuk kishte përmendur emra apo funksione, duke thënë se kanë qenë njerëz jashtë sistemit.
”Unë kam thënë që kam pasur njerëz që janë interesu, a ka mundësi me ia largu urdhër-arrestin, me u kthy ai në Kosovë. Kanë qenë njerëz jashtë sistemit dhe jashtë politikës. Ju kam thënë që këta janë çështje ligjore dhe nuk ka mundësi me u largu”, ka thënë ai.
Për këtë deklaratë, Isufaj tha se është informuar nga mediat. Sipas tij, ish-prokurori Hoxha nuk e ka ndarë asnjëherë me të këtë informacion.
“Pyeteni atë kush i ka thënë. Nëse atij i ka thënë dikush, ai ka qenë prokuror, pse ai s’ka ndërmarrë. Unë këtë informacion e kam pa prej mediave, kurrë këtë informacion s’ma ka thënë mua. Ai ka qenë prokuror, ka pas mandat. Secili që ka shku e ka mujt me i thanë diçka ka mujt me arrestu. Nuk e di pse nuk e ka ba këtë punë, nëse ka qenë ashtu qysh e ka thënë ai”, deklaroi Isufaj.
Pas deklaratës së Isufajt, doli me reagim Ministrja Albulena Haxhiu. Ajo tha se po të mos hiqej urdhër-arresti, operimi i Radojiçiqit do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit.
“Cenimi që Serbia për mbi 20 vjet i ka bërë rendit juridik dhe kushtetues në veri të vendit me në krye akter terrorist si Milan Radojçiq, veriu, siguria kombëtare nuk janë thjesht çështje të ftohta juridiko-penale të një prokurori apo kryeprokurori që me lehtësinë e botës thotë se vetëm ai i di arsyet pse i ka hequr fletarrestin dikujt si Milan Radojçiq. Dhe pikë, siç shprehet ai.
Po të mos hiqej fletarresti (mos)operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit. Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i veriut me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë”, tha Haxhiu.
Në konferencën vjetore, Isufaj foli edhe për kritikat e kryeministrit Kurti, I cili e kritikoi Prokurorinë për mospunë lidhur me sulmin në Banjskë.
“Pyetjes për kryeministrin, as që dua ta komentojë sepse nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave, është qysh e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuzat i ngrisim kur i kryejmë hetimet dhe nuk mund të na tregojë askush se kur ne duhet të ngrisim aktakuzat”, tha Isufaj.
Kurti iu kundërpërgjigj më vonë, duke thënë se është për t’u habitur fakti se edhe pse Radojçiq e ka pranuar pjesëmarrjen në sulm, ende nuk ka aktakuzë.
“Nuk e di a ndani edhe ju me mua habinë. Si është e mundshme që Milan Radojçiq e pranon që ka kryer krimin dhe nuk ka aktakuzë. Unë besoj që nuk duhet as me kry Fakultetin juridik e as nuk ka nevojë me pas Bachelorin, Masterin ose Phd dhe as nuk ka nevojë me qenë prokuror e as gjykatës por vetëm arsyeja e shëndoshë normale e qytetarëve të Republikës e identifikon një absurditet të tillë”, ka thënë ai.
Më tutje, Kurti deklaroi se informacionet rreth Banjskës që janë sjell nga AKI-ja dhe Policia e Kosovës janë enorme.
“Nga informacionet që ka sjellë AKI-ja, Policia e Kosovës dhe ju gazetarët, në Banjskë e rrotull Banjskës është enorm ndërkaq shumica dërmues e qytetarëve të Republikës nuk ia dinë emrin prokurorit që merret me rastin e Banjskës”, tha tutje ai. /Gazeta Express/