Gol dhe asistim – Cristiano Ronaldo super lider në elitën e futbollit saudit

Al Nassr ka fituar ndaj Al Ettifaq me rezultat 3-1 në kuadër të javës së 18-të të kampionatit elitar saudit, ku Cristiano Ronaldo gjeti rrjetën.

Alex Telles kaloi në epërsi Al Nassr, ndërsa Marcelo Brozovic shtoi epërsinë pastaj.

Kroati shënoi pasi Cristiano Ronaldo e dërgoi topin me kokë drejt tij, dhe përfaqësuesi kroat bëri një punë të shkëlqyer, duke gjetur rrjetën për 2-0.

Portugezi shënoi pastaj edhe vetë në minutën 73-të nga penalltia për 3-0.

Ai udhëheq listën e top shënuesve dhe asistuesve në elitën e futbollit saudit. Ky ishte goli i 21-të në 23 ndeshje për Cristiano Ronaldon me fanellën e Al Nassr. Në anën tjetër, asistimi ndaj Brozovic ishte i 11-ti për portugezin këtë sezon.

Me këtë fitore, Al Nassr arriti në 40 pikë dhe me një ndeshje më pak është dhjetë pikë prapa liderit Al Hilal. /Telegrafi/


Shtuar 22.12.2023 20:02