Shtëpia e Bardhë me deklaratë të fortë: Rusia po i “ekzekuton ushtarët” që refuzojnë urdhrat

Rusia është duke i ekzekutuar ushtarët që nuk i respektojnë urdhrat në ofensivën e re ushtarake në lindje të Ukrainës, pavarësisht se është duke u përballur me humbje “të mëdha” të personelit dhe pajisjeve ushtarake, ka thënë të enjten Shtëpia e Bardhë.

“Ne kemi informacion se ushtria ruse është duke ekzekutuar ushtarët që janë duke refuzuar respektimin e urdhrave”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby.

“Ne kemi informacione se komandantët rusë janë duke kërcënuar me ekzekutim të të gjitha njësiteve, nëse tërhiqen prej luftimeve”, ka shtuar ai.

“Kjo gjë është e dënueshme”.

Kirby nuk ka dhënë më shumë hollësi kur është pyetur për ekzekutimet, apo se si e ka siguruar SHBA-ja këtë informacion.

Rusia është duke e rritur shkallën e sulmeve në qytezën Avdivka në lindje të Ukrainës dhe në qytetin verilindor Kupiansk, me qëllim të ndryshimit të vijës së frontit, para stinës së dimrit.

Moska është përballur me “humbje të konsiderueshme” në ofensivë, përfshirë të paktën 125 pajisje të armatosura, dhe “mijëra” viktima, ka thënë Kirby.

“Ushtria ruse duket se po i përdor ato që ne i quajmë taktika të valës njerëzore. Nuk është befasi që forcat ruse janë duke vuajtur prej mungesës së vullnetit”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.


Shtuar 26.10.2023 23:22