Zelensky i kërkon Turqisë dhe OKB-së të rifillojnë eksportet e grurit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sonte se Kievi është gati të vazhdojë eksportet e grurit përmes Detit të Zi, pavarësisht njoftimit të Moskës se marrëveshja e arritur verën e kaluar po përfundonte “de fakto”.

“Edhe pa Rusinë, duhet bërë gjithçka që të mund të përdoret ky korridor (për eksport) në Detin e Zi. Ne nuk kemi frikë”, siguroi Zelensky, sipas deklaratave të postuara në Facebook nga përfaqësuesi i tij, Serhii Nikiforov .

Në mesazhin e tij, presidenti ukrainas shtoi se ai i kishte dërguar “letra zyrtare Presidentit të Turqisë (Recep Tayyip) Erdogan dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres për të sugjeruar që eksportet të vazhdojnë”.

“Ukraina, OKB dhe Turqia mund të sigurojnë së bashku funksionimin e korridorit të ushqimit dhe inspektimin e anijeve,” argumentoi ai.

“Rusia nuk ka të drejtë të përcaktojë se kush do të ketë ushqim të mjaftueshëm dhe nisma e Detit të Zi mund të funksionojë pa përfshirjen e Moskës”, shtoi ai.

Sipas Zelenskyt, rreth 33 milionë tonë produkte bujqësore u eksportuan në 45 vende sipas marrëveshjes së miratuar në korrik 2022 nga Ukraina dhe Rusia, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB.

Rusia më herët njoftoi se marrëveshja po përfundonte, duke përmendur pengesat për eksportet e saj të ushqimit dhe plehrave për shkak të sanksioneve.

Rusia gjithashtu akuzon vendet e pasura se përfitojnë nga pjesa më e madhe e eksporteve të Ukrainës, të cilat duhet të dërgohen në vendet në zhvillim.

Zelensky, nga ana e tij, tha se 60% e ushqimit eksportohej në vendet e Afrikës dhe Azisë.

Bazuar në të dhënat e OKB-së, tre vendet që kanë përfituar më shumë nga eksportet e Ukrainës janë Kina, Spanja dhe Turqia./Albeu.com/


Shtuar 17.07.2023 23:43