Droga që po merr më qafë të rinjtë, 33-vjeçari kapet me katër pako në kufi

Policia kufitare ka arrestuar në Morinë një 33-vjeçar banues në Zyrih. Ai u kap me 4 pako me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi, të cilat tentoi t’i fuste në Shqipëri, nga Kosova.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i policisë:

Morinë, Kukës

Tentoi të trafikonte lëndë narkotike në Shqipëri, vihet në pranga 33-vjeçari.

Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, bazuar në inteligjencën informative dhe në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të imtësishëm, një automjet taksi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në automjetin taksi në të cilën udhëtonte si pasagjer shtetasi A. B., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 4 pako me lëndë të dyshuar narkotike ekstazi.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 33 vjeç, banues në Zyrih, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme. /albeu.com


Shtuar 3.06.2023 10:03