Rritet numri i sulmeve ndaj strehimoreve të azilit në Gjermani

Vitin e kaluar në Gjermani është rritur numri i sulmeve ndaj strehimoreve të azilit. Në vitin 2022 ka pasur 221 sulme kundër strehimoreve të azilantëve, sulme fizike si edhe dëmtime materiale. Një rritje kjo 73% krahasuar me një vit më parë. Këto janë të dhëna paraprake të Ministrisë së Punëve të Brendshme në përgjigjen ndaj kërkesës së grupit parlamentar E Majta, të cilat i ka publikuar gazeta gjermane “Neue Osnabrücker Zeitung”. Megjithë rritjen e ndjeshme të sulmeve ndaj stehimoreve të azilit, shifrat janë më të ulta se në vitin e krizës së refugjatëve, 2015. Atë vit u regjistruan 1047 sulme ndaj qendrave ku jetonin refugjatët.

Autoritetet kanë regjistruar gjithashtu edhe 1248 sulme ndaj azilkërkuesve dhe refugjatëve jashtë strehimoreve të azilkërkuesve, pak a shumë sa vitin e kaluar, ku ishin denoncuar 1259 raste. Sipas statistikës çdo ditë sulmohen në Gjermani tre azilkërkues. Shumica e veprave kryhen nga ekstremistë të djathtë.

E Majta e alarmuar

Ky është viti i parë që nga viti i krizës 2015, ku është shënuar një rritje e sulmeve kundër azilkërkuesve. Si arsye për këtë konsiderohen heqja e masave kundër Coronës si edhe numri i lartë i ardhjes së refugjatëve. Vitin e kaluar në Gjermani erdhën dukshëm më shumë refugjatë edhe për shkak të luftës në Ukrainë. Në vitn 2022 erdhën 218.000 azilkërkues, aq sa në vitin 2016. Këtyre u shtohen afër 1 milionë ukrainas që erdhën pas agresionit rus kundër Ukrainës.

Ekspertja për refugjatët e grupit parlamentar E Majta, Clara Bünger u shpreh mjaft e shqetësuar pas bërjes publike të shifrave. “Refugjatët që kërkojnë siguri dhe mbrojtje këtu, ndeshen me frikën dhe pasigurinë”, tha ajo për gazetën gjermane. Bünger kujtoi trazirat e dhunshme kundër një strehimoreje të azilit në vitin 1992 në Rostock-Lichterhagen, të cilat zgjatën katër ditë duke pyetur: “Duam ne të presim derisa të përsëritet Rostock-Lichterhagen?” /DW


Shtuar 3.03.2023 09:11