Teuta kryesuese ka fituar me rezultatin e ngushtë 2-1 ndaj Kastriotit, duke e çuar përkohësisht diferencën në +4 nga Partizani ndjekës. Skuadra e Edi Martini mori një trepikësh të artë dhe tashmë hedh një hap gjigand drejt titullit kampion, që i mungon prej 27 vitesh.
Golat për durrsakët u shënuan nga Emiljano Vila (42) dhe Dejvi Bregu (54), ndërsa për krutanët golin e vetëm e realizoi Ermir Rezi (71).
Bregdetarët e administruan mirë lojën dhe mund të kishin shënuar gola të tjerë, por Krasniqi, Bregu dhe E.Vila shpërdoruan disa raste.
Triumfoi edhe Kukësi, që mposhti me rezultatin e thellë 3-0 Apoloninë, duke i prerë këtyre të fundit biletën për në Kategorinë e parë.
Golat për verilindorët u shënuan nga Agim Ibraimi (25), Redon Dragoshi (55) dhe Gjelbrim Taipi (79).
Fitore e rëndësishme për Vllazninë. Shkodranët mundën me rezultatin minimal 1-0 Bylisin, që pas kësaj humbje rrezikon rënien nga Kategoria.
Golin e vetëm për kuqeblutë e shënoi Avdiaj në minutën e 38-të.
Ndërsa ndeshja mes Skënderbeut dhe Laçit u mbyll në barazim pa gola (0-0).