“Pa frikë apo pa favore”, ambasada zbardh takimin e Kim me Dumanin: Askush nuk është mbi ligjin!

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Yuri Kim, ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në ambientet e SPAK.

Kjo vizitë e Kim në SPAK vjen fill pas zgjedhjes së kreut të ri të këtij institucioni, Altin Dumani.

Ambasada përmes një postimi në Facebook ka zbardhur takimin e ambasadores me Dumanin. Kim gjatë takimit ka ritheksuar mbështetjen e SHBA-së kundrejt Reformës në Drejtësi.  Ajo bën me dije se askush nuk është mbi ligjin.

Postimi i plotë:

Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, për ta uruar atë për postin e tij të ri drejtues. Ajo ritheksoi që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbëstesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush nuk është mbi ligjin.

/Albeu.com.  


Shtuar 5.01.2023 16:32