“Kam një vajzë 36 vjeçe. Deri në 50 vjeç po e marr. Do mundohem ta gjej.”
Sef Karaj sapo mori një kërkesë nga nëna e një vajze, e cila i kërkoi ndihmë për t’i gjetur një burrë së bijës.
Shkesi 74-vjeçar nga Mamurrasi prej disa dekadash prezanton të rinj dhe të reja. Të gjithë çiftet janë martuar. Tregon se ka lidhur martesa në shumicën e zonave të vendit dhe përtej kufijve.
“Unë e kam filluar që 25 vjeç pak në fillim. Nga viti 1990 e këtej kam pasur më shumë kërkesa. Kam pas kërkesa nga jugu, Kosova, Maqedonia, Greqi, Mali i zi, Serbi. Në Serbi jam lidhur përmes njerëzve të tyre nga Shkodra.”
Deri më sot ka bashkuar 800 çifte. Thotë se ka pasur sukses pasi ka ditur t’i përputhë çiftet bazuar në moshë, mentalitet apo nivel arsimor.
“Unë e bëj tamam, jo me hile. S’i jap dikujt atë që se meriton. Çfarë kam bashku nuk më është ndarë ndonjë. Nuk ka ardhur askush për ankesë. Bisedat i bëj në familje, jo në klube.”
Ai është selektiv. Ky është një tjetër sekretet, që martesat të cilat ka lidhur nuk kanë i dështuar.
“Unë kam një veti, me ata që divorcohen, nuk merrem. Me ata që ju vdesin partnerët, ja u bëj me sekonda dhe kam bërë shumë.”
Kohët e fundit Sefit i vijnë më pak kërkesa, pasi teknologjia ka evoluar.
“Ka pas shumë vajza para 5 vitesh, tani kanë dalë telefonat dhe martohen me telefona më shumë.”
Puna që bën edhe pse nuk është fitimprurëse i është kthyer në pasion. Nuk ka ndërmend të ndalet.
“Në kohën e Enverit të jepnin një palë këpucë. Babai im ja ka dhënë shkuesit një palë këpucë. Sot nuk të vlerësojnë. Po s’do ta lë deri sa të vdes.”
Pohon se paragjykohet shpesh herë, edhe nga familjarët, por nuk i bën përshtypje.
“Ka shumë që e nënvlerësojnë, po nuk mërzitem. Edhe gruaja më thotë mos u merr me këtë punë. Po i them për Zotin ma bëj hallall, por nuk do ta lë këtë punë!”./abcnews.al