Vëllezerit Indrit dhe Gentian Beqiraj, të cilët u rrëmbyen para dy ditësh në autostradën Tiranë-Durrës, kanë rrëfyer detaje lidhur me disa ngjarje kriminale të ndodhura më parë.
Ata operonin prej dy vitesh si vrasës ma pagesë në zonën e Durrësit dhe Tiranës duke marrë disa porosi për ekzekutimin e të paktën katër personave. Porosia e parë ishte marrë në Tiranë ku Kasandër Noga sipas policisë kishte kërkuar vrasjen e një personi dhe dy nipërve të tij në zonën e “Don Boskos” në kryeqytet.
Për shkak të ngatërrimit të objektivit, ata nuk u vranë, por gabimisht u ekzekutua Erjon Çela, më datë 4 janar të vitit të shkuar pikërisht në zonën e “Don Boskos”.
Vrasja e dytë, për të cilën kishin marrë porosi vëllezërit Beqiraj kishte të bënte me ekzekutimin e Arben Mërkurit në Sukth. Mërkuri dyshohej nga policia si vrasës ma pagesë dhe u vra pesë muaj më parë në biznesin e tij në zonën e Sukthit.
Policia thekson se nuk ka ende informacion për vrasjen e Mërkurit dhe nuk dihet nëse e kanë ekzekutuar vëllezërit Beqiraj apo dikush tjetër, megjithatë këta të fundit kishin marrë 3 500 euro paradhënie dhe kishin marrë një shtëpi me qira pranë vendit ku jetonte Mërkuri sipas bluve të Durrësit.
Policia thekson se porosinë për vrasjen e Mërkurit e kishte thënë Kevin Zeneli.
Mes 14 të arrestuarve të këtij grupi janë edhe një punonjës policie dhe edhe një ushtarak, të cilët gjenin armët dhe lëndët shpërthyese./albeu.com/