Nga paraburgimi 313, Ilir Meta ka reaguar lidhur me kursin e euros dhe buxhetin e vitit 2027, duke akuzuar qeverinë për përllogaritje të gabuara dhe propagandë me atë që e quan “buxhet historik”.
Meta vë në dyshim shifrat e përdorura nga ekzekutivi, duke theksuar se buxheti është ndërtuar mbi referencën e një kursi prej 96 lekësh për një euro, ndërkohë që aktualisht monedha europiane ka rënë në rreth 89 lekë.
Të lidhura
None found
Ish-presidenti kritikon gjithashtu narrativën e një buxheti që arrin 10 miliardë euro, duke argumentuar se rënia e euros nuk sjell as më shumë mirëqenie ekonomike dhe as të ardhura më të larta për qytetarët.
Sipas Metës, pavarësisht shifrave që prezanton qeveria, shumica e shqiptarëve vazhdojnë të jetojnë me rroga dhe pensione të ulëta, shërbime publike të dobëta dhe një kosto të lartë jetese.
Në reagimin e tij të plotë, Meta shprehet se pikiata e euros dhe Samiti i Arubës ende vijojnë. Ai e uron lekun që po ia ul kokën euros, e cila ka ndryshuar prefiksin dhe ka zbritur në 89 lekë, dhe shton se është me interes të shihet me çfarë kursi do të hyjë vendi më 1 janar 2027, kur nis zbatimi i buxhetit të ri të shtetit.
Ai nënvizon se qeveria i ka bërë “llogaritë” me 96 lekë për një euro, ndërkohë që sot euro është 89 lekë. Kështu, sipas tij, buxheti nis me një mashtrim në përllogaritje, përpara se të fillojë zbatimi, ndërsa mashtrimi i dytë është propaganda me “buxhetin historik” prej 10 miliardë eurosh.
Meta pyet pse kjo shifër është bërë qendra e propagandës, kur buxheti zbatohet në lekë dhe euro sot vlen shumë më pak se në vitin 2013, kur kursi ishte rreth 140 lekë. Ai thekson se një buxhet që duket historik në euro nuk sjell më shumë para për 95% të shqiptarëve, të cilët përballen me paga dhe pensione të ulëta, shërbime të dobëta dhe kosto të lartë jetese.
Në mbyllje, ai shtron pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për këto dy mashtrime publike dhe thekson se, pavarësisht anulimit të Samitit të NATO-s, pikiata e euros vazhdon, sepse Samiti i Arubës vijon punimet e veta.








