Luftimet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, reagon Macron: I gatshëm të ndërmjetësoj bisedimet

Shpërthimi i konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit ka shkaktuar shqetësim global. Franca pritet të diskutojë çështjen midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, njoftoi zyra e presidentit Emmanuel Macron, duke shtuar se presidenti francez vazhdoi t’u bëjë thirrje të dyja palëve që të respektojnë armëpushimin.

Armenia njoftoi sot se të paktën 49 ushtarë të saj u vranë në luftimet përgjatë kufirit me Azerbajxhanin pas një përshkallëzimi të armiqësive që detyruan Rusinë dhe SHBA-në të bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje.

Së bashku me SHBA-në dhe Rusinë, Franca kryeson Grupin Minsk të OSBE-së, i cili ka shërbyer si ndërmjetës midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. Rikujtojmë se gjatë ditës së sotme, Macron bisedoi me kryeministrin armen Nikol Pashinyan dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në kufirin Armeni-Azerbajxhan, fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe respektimin e integritetit territorial të Armenisë.

Sipas një deklarate nga presidenca franceze, Macron u deklarua në dispozicion për të biseduar me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.


Shtuar 13.09.2022 14:00