Policia e rezervuar për atentatin në Durrës, shënjestra ishte Akil Nerjaku, makina luksoze në emër të nipit të Lefter Kokës

Atentati i ndodhur gjatë paradites së sotme ndaj Akil Nerjakut në Durrës është kryelajmi i mediave sot, ndërkohë që policia pretendon përmes një njoftimi zyrtar se në fakt shënjestra ka qenë makina pa asnjë njeri brenda e një shqiptari të Maqedonisë, të quajtur B.Alushi.

Policisë iu desh disa orë të dilte me një njoftim zyrtar duke mos përmendur askund Nerjakun dhe aq më pak shoferin e makinës me të cilën po lëvizte 40 vjeçari, ndërkohë që deri sa dolën blutë e Durrësit me një reagim, në media qarkulluan të gjitha detajet mbi atentatin.

Mësohet se në drejtim të Nerjakut u qëllua në zonën e Plazhit në Durrës teksa ai ishte duke lëvizur me një makinë tip “Mercedes Benz-GL”. 40-vjeçari ishte pasagjer në makinën ngjyrë të zezë, ndërsa në timon ishte djali i vëllait të ministrit Lefter Koka, 26-vjeçari Haki Koka.

Nuk ka të dhëna që makina tip “Mercedes Benz-GL” të jetë e blinduar.

Mësohet se autorët lëviznin me një automjet tip furgon ngjyrë të bardhë.  Dyshohet se autorët e kanë ndjekur objektivin e tyre. Sapo ai ka zbritur nga makina, kanë qëlluar një herë me snajper, por plumbi nuk e ka kapur dhe ka qëlluar një makinë të parkuar me targa të huaja. Sapo kanë bërë atentatin, autorët me furgonin e bardhë janë larguar në drejtim të Plepave ku edhe kanë humbur gjurmët.

Burime për ABC bëjnë të ditur se furgoni i dyshuar nga verifikimet paraprake rezulton të jetë me targa të vjedhura nga një automjet tjetër disa muaj më parë.

Policia mësohet se ka nisur këqyrjen e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati ditën e djeshme. Zona në fjalë është e mbushur me kamera sigurie dhe pritet të dalin detaje të tjera rreth ngjarjes.

Rezulton se edhe makina ishte në pronësi të 26-vjeçarit në fjalë. Fatmirësisht, të dy ata kanë shpëtuar paq dhe plumbi i lëshuar nga snajperi nuk ka kapur makinën e tyre, por një automjet të parkuar teksa pronari bënte plazh disa metra më tej.

Të gjitha të dhënat e mësipërme janë konfirmuar edhe nga organet hetimore të Durrësit.

Akil Nerjaku rezulton një person me precedentë të theksuar kriminalë dhe është arrestuar disa vite më parë për armëmbajtje pa leje.

Njoftimi i policisë:

Më datë 12.09.2022, rreth orës 12:00, në lagjen nr. 13, Durrës, në rrugën “Pavarësia”, është qëlluar një herë, me armë zjarri, në drejtim të një automjeti të parkuar, në pronësi të shtetasit B. A., 52 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale është bërë i mundur identifikimi i automjetit me të cilin ka lëvizur personi që ka qëlluar në drejtim të automjetit të parkuar.

Vijon puna intensive për kapjen e autorit. Për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera.

Theksojmë se në momentin e të shtënës me armë, në automjet nuk ka qenë asnjë person.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Më herët, burime bënë me dije se autori kishte qëlluar me snajper nga brenda një furgoni. Zona ku ndodhi ngjarja është e mbushur me kamera sigurie dhe pritet të dalin detaje të tjera në vazhdim./abcnews.al

Shtuar 13.09.2022 14:02