Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, i cili u vra me armë zjarri disa ditë më parë, gjatë një fjalimi në Nara, do të përcillet ditën e sotme në banesën e fundit.
Me mijëra japonezë janë duke i dhënë sot nderimet e tyre të fundit ish-kryeministrit Shinzo Abe. Ceremonia mortore, e cila po mbahet në tempullin Zojoji në Tokio, është private dhe do të jetë e hapur vetëm për miq dhe familjen.
Brenda tempullit Zojoji po kryhen ritet budiste. Pas funeralit, automjeti që do të mbajë trupin e Abe do të kalojë përmes qendrës së Tokios.
Kujtojmë se ish-kryeministri 67-vjeçar u qëllua për vdekje të premten e kaluar teksa mbante një fjalim për fushatën në Nara në Japoninë jugore.
Në të gjithë Tokio, flamujt janë valëvitur në gjysmështizë dhe jashtë tempullit, një varg i gjatë qytetarësh, shumë prej të cilëve mbajnë tufa me lule, shtrihet në dy blloqe. Shumë prej tyre thonë për BBC se Abe u dha atyre një ndjenjë sigurie, një grua tha se gjatë ditëve të para të Covid, kur Abe ishte kryeministër, ajo ndjeu se ai e kishte trajtuar krizën në mënyrë efektive.