Letra e urimit që presidenti amerikan Joe Biden i dërgoi homologut të tij, Aleksandar Vuçiç me rastin e Ditës së Shtetësisë së Republikës së Serbisë, u kthye në fakt në një mesazh të qartë që shefi i shtëpisë së Bardhë ka përcjellë për Kosovën.
Biden ishte i prerë ne kërkesën e tij.“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi i normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili, siç e dini, besoj se duhet të bazohet në njohjen reciproke. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin në punën me mirëbesim për të arritur këtë qëllim”, thuhet mes të tjerash në letër, sipas gazetës serbe Danas.
Vucici nuk i është përgjigjur drejtpërdrejtë presidentit amerikan për këtë mesazh. Por në një intervistë të dhënë për mediat serbe, deklaroi se nuk ka për ta njohur kurrë shtetin e Kosovës.
“Unë nuk mendoj se ne duhet ta pranojmë apo njohim pavarësinë e Kosovës. Ne duhet të punojmë me shqiptarët nga Kosova për bashkëpunim të ndërsjellë. Por, kjo është e pamundur sepse pavarësia është gjithçka për çfarë ata duan të flasin”, ka qenë komenti i tij.
Diplomatë të huaj kanë nisur këto kohë ecejaket mes Prishtinës e Beogradit, me shpresën t`i japin një shtysë të re procesit të ngecur në vendnumëro të dialogut mes dy palëve.