Kuvendi i Kosovës do të presë sot dy mbledhje të komisioneve parlamentare, ku vëmendja kryesore do të jetë te hetimi parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, si dhe te temat që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen.
Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili po shqyrton veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve e grave në familje, do të marrë në pyetje disa përfaqësues institucionalë, sipas raportimeve të “Bota sot”.
Të lidhura
None found
Seanca e këtij komisioni është planifikuar të fillojë në orën 09:00. Para anëtarëve të komisionit do të dëshmojnë Albulena Mujaj-Bajraktaraj, drejtoreshë e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Samka Drançolli, zyrtare për Barazi Gjinore po në këtë komunë, si dhe Blerim Shabani, drejtor i një departamenti në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Marrja në pyetje e këtyre zyrtarëve synon të hedhë dritë mbi veprimet dhe përgjegjësitë e institucioneve në mënyrën se si u trajtua rasti, si dhe mbi çështjet e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje.
Në orën 10:00 do të zhvillohet edhe mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili do të takohet me Komitetin për Mbrojtje dhe Siguri të Odës Ekonomike Amerikane.
Të dyja mbledhjet do të mbahen në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.








