Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka firmosur urdhrin që nuk lejon mësuesit e dënuar të japin mësim. Ky vendim ka ardhur pas skandalit në Berat, ku Engjëll Bregu, i dënuar me burg për pedofili, u rikthye të jepte mësim në shkollën “22 nëntori”.
Rasti u denoncua nga familjarët të cilët kishin frikë për fëmijët e tyre. Drejtoria Arsimore Rajonale Berat e shkarkoi nga detyra që prej ditës kur rasti u bë publik, ndërsa institucionet arsimore u justifikuan duke thënë se nuk e dinin se ishte dënuar për një vepër të tillë penale.
“Duke marrë shkas nga rasti i fundit i punësimit në Berat të një mësuesi që shkaktoi zemërim të lartë publik, sot firmosa menjëherë ndryshimin e udhëzimit që ndalon aplikimin dhe konkurrimin për të punuar si mësues të personave të dënuar, për të cilët gjykata ka marrë vendim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale kundrejt të miturve apo për kryerjen e një vepre penale që lidhet me institucionet arsimore.
Ky vendim shmang rrezikun që mund t’i vijë nxënësve tanë nga persona që nuk garantojnë integritet të lartë moral dhe ligjor. Angazhohemi që të vijojmë me një punë akoma më intensive për të ndërmarë iniciativa të tjera ligjore që garantojnë më shumë mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve tanë”, tha Kushi./albeu.com