Enis Zeqiri debuton me Sonderjyske: Kam lindur në Danimarkë, por dua të luaj vetëm për Kosovën

Mesfushori 18-vjeçar Enis Zeqiri ka bërë debutimin profesional me Sonderjyske, ndonëse është rritur në Danimarkë. Pavarësisht vendit ku ka lindur dhe jetuar, ai shprehet se synimi i tij i vetëm në arenën ndërkombëtare është të përfaqësojë Kosovën.

Zeqiri u aktivizua për herë të parë me ekipin danez disa javë më parë, duke tërhequr vëmendjen në vend. Sonderjyske është akademia ku janë formuar edhe Olti Hyseni dhe Albert Rrahmani, dy futbollistë që kanë nisur të bëjnë emër.

Të lidhura

None found

Debutimi i tij erdhi në një ndeshje të vështirë, të cilën Sonderjyske e humbi 5-1 ndaj Horsens. Mesfushori pranoi se emocionet ishin të mëdha, por kjo përvojë e ka shtyrë të punojë edhe më shumë.

“Ishte një moment i jashtëzakonshëm për mua. Sapo hyra në fushë, ndjeva emocione të forta, pasi debutimi për klubin kishte qenë gjithmonë një ëndërr. Jam shumë i lumtur që më në fund u bë realitet”.

“Jam shumë mirënjohës për këtë mundësi, sepse për të kam punuar gjatë. Debutimi më ka dhënë edhe më shumë forcë për të ecur përpara dhe për të vazhduar me përkushtim, një prej vlerave kryesore të Sønderjyske”.

Ai tregoi se fillimisht nuk e kishte menduar se do të ishte pjesë e skuadrës për atë ndeshje. Ftesa erdhi pas një bisede me një prej trajnerëve, i cili e thirri për të parë disa video.

“Para një seance stërvitore, një nga trajnerët më ftoi të shihnim disa video. Pas kësaj, më njoftoi se do të isha në stolin e rezervave. U gëzova dhe u emocionova shumë, sepse nuk e prisja të përfshihesha në listën e lojtarëve”.

“Në momentin që nisëm ndeshjen, emocionet ishin të veçanta. Kisha pak nervozizëm, por edhe shumë dëshirë për të luajtur. Në fillim të pjesës së dytë, së bashku me katër futbollistë të tjerë, u dërgova për nxehje. E kuptova se mund të merrja minuta”.

Rreth minutës së 80-të, Zeqiri mori sinjalin për të hyrë në lojë. Ai u shpreh se në atë çast emocionet dhe nervozizmi u shtuan, pasi po përgatitej të luante ndeshjen e parë në Superligë.

“Shkova menjëherë të ndërrohesha dhe dola pranë vijës anësore. Në ato momente nuk u mendova gjatë, por u përqendrova vetëm te detyra që duhej të kryeja. Pasi hyra në fushë, u ndjeva më i qetë. Për fat të keq, e humbëm ndeshjen, por duhet të vazhdojmë përpara dhe të përgatitemi për sfidat e radhës”.

Sonderjyske e sheh Zeqirin si pjesë të projektit afatgjatë. Klubi i ka kërkuar të punojë vazhdimisht, në mënyrë që të përmirësojë nivelin e tij.

“Kemi folur për këtë dhe më është thënë të vazhdoj të punoj, të jap më shumë nga vetja dhe të përqendrohem te gjërat që di t’i bëj mirë. Më kanë këshilluar se rezultatet pozitive do të vijnë me kalimin e kohës. Për këtë arsye, aktualisht jam i fokusuar te puna dhe përmirësimi i vazhdueshëm”.

Objektivi i parë i futbollistit është të nënshkruajë kontratë profesionale dhe të fitojë një vend të rregullt në ekipin e parë.

“Dua që një ditë të firmos kontratë profesionale dhe të bëhem pjesë e rregullt e skuadrës së parë. Më pëlqen shumë të stërvitem me ekipin e parë, sepse më kanë pritur dhe trajtuar shumë mirë. Është një grup i shkëlqyer dhe ndihem mirë aty”.

Pas këtij hapi, ëndrra e tij është të transferohet në një klub të madh evropian dhe të ndërtojë emrin e vet në futboll.

Edhe pse ka lindur dhe është rritur në Danimarkë, Zeqiri nuk ka dilema për kombëtaren me të cilën dëshiron të luajë. Ai synon të veshë fanellën e Kosovës.

“Kam lindur dhe jam rritur në Danimarkë, por kam vetëm shtetësinë e Kosovës. Do të doja shumë t’i bashkohesha Kombëtares së Kosovës dhe të luaja për të”.

Deri tani, futbollisti nuk është kontaktuar nga FFK-ja, por ai beson se situata mund të ndryshojë nëse vazhdon të punojë dhe të përparojë.

“Fatkeqësisht, deri më tani nuk më ka kontaktuar as Kosova, as Shqipëria. Gjithsesi, shpresoj që një ditë të marr një telefonatë prej tyre, në mënyrë që të kem mundësinë të luaj për Kombëtaren e Kosovës dhe ta bëj familjen time krenare”.