E FUNDIT/ Moti i keq, si paraqitet situata në të gjithë vendin

Sipas të dhënave të raportuara nga emergjencat civile, reshjet e shumta kanë sjellë disa problematika në zona të caktuara të vendit.

Situata konkretisht paraqitet si më poshtë:

Qarku Tiranë. Si rezultat i reshjeve të shiut ka pasur prezencë uji në rrugën “5 Maji”, ku janë rrezikuar disa banesa. Ekipet e punës së bashkisë Tiranë kanë punuar për normalizimin e situatës.

Në vendin e quajtur Ura e Maqedonasit, bashkia Rrogozhinë, Lumi Shkumbin ka rritje të prurjeve dhe lumi ka filluar të dalë nga shtrati. Në vendngjarje kanë shkuar përfaqësues të bashkisë Rrogozhinë si dhe Prefekti i qarkut Tiranë Z. Afrim Qëndro. Situata po mbahet në monitorim.

Qarku Shkodër. Ka patur reshje shiu me intensitet mesatar. Në aksin rrugor Tamarë- Qafa e Bërdalecit ka pasur rënie gurësh dhe inerte. Firma kontraktore ka punuar për pastrimin e saj.

Qarku Durrës. Si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë ka një fryrje të lumit Erzen në zonën e Sukthit. Situata po monitorohet nga Prefekti i qarkut Durrës.

Qarku Dibër. Në fshatin Vinjoll, njësia administrative Lis, është dëmtuar Ura e Kaçes, e cila është rrëmbyer nga prurjet e zallit dhe është bërë e pakalueshme. Rreth 10 familje janë të izoluara dhe nuk komunikojnë dot me qendrën e fshatit dhe as me qendrën e njësisë administrative.

Qarku Elbasan. Si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, bashkia Elbasan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore.

Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme për shkak të kushteve të motit.

Të gjitha strukturat, qoftë të pushtetit vendor, ashtu dhe ato qendrore u bëjnë thirrje banorëve të zonave ku janë shfaqur probleme, të bëjnë kujdes dhe garantojnë se janë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo rast të nevojshëm./albeu.com


Shtuar 29.11.2021 18:04