Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka shprehur bindjen se forca e tij politike ka arritur të marrë rezultat mjaft pozitiv në zgjedhje.
Zaev ka deklaruar se shumica parlamentare do të zgjerohet pas zgjedhjeve lokale.
Alsat.mk shkruan se Zeav duke mos dashur t’i komentojë koalicionet e partive politike shqiptare për raundin e dytë zgjedhor, shtoi se është normale që partitë të bashkëpunojnë për rezultat sa më të mirë.
Ai gjithashtu kërkoi nga partitë që pretendojnë shumicë të re të tregojnë mbi cilat parime bazohen për të.
“Duhet ta thonë të gjitha ata që flasin për ngjarje të tilla pas raundit të dytë të zgjedhjeve, do të jenë për Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen me Bullgarinë, një shoqëri për të gjithë, ligjin për gjuhët, apo do të jenë kundër. Do të jenë për BE përmes qasjes miqësore dhe diplomacisë apo do të jenë për kthim mbrapa. Unë ju garantoj se shumica parlamentare do të zgjerohet”, tha Zaev.
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut u mbajtën në 17 tetor. Nga raundi i parë i zgjedhjeve janë zgjedhur krerët e 32 komunave ndërsa në 42 komuna të tjera, në të cilët rezultati ka shkuar në balotazh do të zhvillohet raundi i dytë më 31 Tetor./albeu.com/