Policia ka vënë në pranga një 33-vjeçar, pasi është kapur në autostradën Milot-Morinë duke transportuar me automjetin furgon tip “Benz”, 12 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Lezhë, në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, pas informacioneve të marra në rrugë policore se me një automjet furgon tip “Benz” po transportoheshin klandestinë drejt Kosovës, organizuan punën për lokalizimin dhe ndalimin e mjetit. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-I. N., 33 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Shtetasi I. N. është kapur në kushtet e flagrancës, nga shërbimet e Njësisë së Autostradës Milot-Morinë, në Skuraj, Kurbin, duke transportuar me automjetin furgon tip “Benz”, 12 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Kurbin, për veprime të mëtejshme.