Urim Hasipi, gazetari shqiptar në Maqedoni ka deklaruar për ABC se autoritetet kanë dyshime për një viktimë të 15-të nga tragjedia e një dite më parë, ku u përfshi nga flakët një spital COVID. Hasipi deklaroi në “Radarin Informativ”, se në mes të personave të lënduar, janë edhe katër staf mjekësor. Ndërkohë ndalur tek hapi i qeverisë për të kërkuar hetues nga jashtë vendit, Hasipi shtoi se kjo është bërë për të shmangur parregullsitë.
“Është folur për viktimën e 15 por nuk është konfirmuar. Dyshimet janë se një person nga jashtë ka ndihmuar familjarët, 14 viktima janë pacientë që janë kuruar në spital. Ka pasur familjarë që u ka ndihmuar pacientëve. Ka pasur njerëz nga jashtë që kujdeseshin për pacientët, familjarë të tyre. Ka pasur edhe mjekë, edhe personel tjetër.
Në mesin e personelit mjekësor, ka katër persona, të lënduar. Sipas drejtorit të spitalit të Tetovës këta të plagosur, trajtohen në repartin e spitalit klinik të Tetovës. Spitali i përfshirë nga zjarri është modular. Qeveria ka vendosur të kërkojnë ndihmë nga ndërkombëtarët për një ndihmë të detajuar. Ka pasur dyshime për rastet kur ka pasur viktima sepse hetimi nuk është bërë si duhet dhe më shumë mund të besojnë në ekspertët ndërkombëtarë se në ato vendor”, u shpreh ai.
Hasipi foli edhe për incidentin e pak kohëve më parë, në po të njëjtin spital, ku një person tentoi të presë tubin që furnizon me oksigjen spitalin.
“Para një muaji, një person ka tentuar të presë tubin që furnizon me oksigjen spitalin e Tetovës. Deri tani konfirmim zyrtar nuk ka. Por flitet se ai ka pasur një familjar në spital që ka ndërruar jetë nga COVID. Kërkimet në spital për ndonjë viktimë tjetër nga zjarri janë mbyllur. Viktima më e moshuar është e moshës 71-vjeçare”, deklaroi ai./abcnews