Lapaj: Protesta nuk ka pronar, kush kundërshton situatën në vend është i mirëpritur

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, komentoi në emisionin “Prime News24” zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe protestat qytetare.

Duke folur për reagimin e qeverisë dhe të Policisë së Shtetit ndaj tubimeve, Lapaj shprehu kritika për mënyrën se si po sillet pushteti.

Të lidhura

None found

“Na kërkojnë ta zhvillojmë protestën me lule, por lulet tona po vyshken. Askush nuk po na dëgjon dhe kjo nuk është një sjellje që i përket standardeve europiane. Kur protestat kanë pjesëmarrje të madhe, nxirren në terren efektivë të zakonshëm të policisë, ndërsa kur numri i protestuesve është më i ulët, shfaqen formacione me persona të lidhur me bandat, të cilët mbajnë uniformën e policisë. Disa prej tyre janë identifikuar si shoferë të krimit dhe kanë lidhje me botën kriminale”, deklaroi ai.

I pyetur për praninë e Partisë Demokratike në protestën e zhvilluar sot, drejtuesi i “Shqipëria Bëhet” tha se tubimi duhet të jetë i hapur për çdo qytetar që nuk pajtohet me atë që po ndodh në vend.

“Në shesh duhet të ketë çdo banor të Republikës që është kundër situatës në Shqipëri. Protesta nuk mund të ketë biletë dhe as kufizime. Çdo qytetar që nuk dëshiron të vidhet më duhet të jetë pjesë e saj, pavarësisht se kë ka votuar më parë. Nëse vendosim kufizime, atëherë mazhoranca do të jetë gjithmonë shumicë. Në kutinë e votimit secili zgjedh kë dëshiron, por sheshi u përket të gjithëve. Askush nuk mund t’i kërkojë një personi llogari se përse proteston”, përfundoi Lapaj.