Bajram Shala: Tre futbollistë mund t’i bashkohen Kosovës, njëri prej tyre luan në Gjermani

Menaxheri i Federatës së Futbollit të Kosovës, Bajram Shala, ka bërë të ditur se përfaqësuesja mund të ketë tri përforcime të reja, në rast se përzgjedhësi Franco Foda vendos t’i ftojë.

Të lidhura

None found

Kombëtarja e Kosovës po kalon një periudhë të mirë në aspektin sportiv dhe vijon të pasurojë grupin me futbollistë të rinj.

Gjatë një podcasti në “Telesport”, Shala u pyet për pesë lojtarë konkretë: Lorent Tolaj, Arijon Ibrahimovic, Leo Blesson, Selmin Hoxha dhe Lutfi Dalipi.

Sipas tij, dy prej këtyre emrave tashmë janë pjesë e Kosovës, dy të tjerë ndodhen pranë përfaqësimit të saj, ndërsa me një futbollist nuk ka pasur afrimitet të madh në negociata.

“Me një prej tyre nuk jemi afër. Dy prej tyre jemi afër dhe dy të tjerë veçse janë lojtarë të Kosovës. Por mbi të gjitha, siç e përmende edhe presidentin Ademi, ai aktualisht është në Gjermani dhe pak para se të futesha në emision më tha se e ka mbyllur me një emër, i cili është i gatshëm ta përfaqësojë Kosovën”, deklaroi Shala.

Ai shtoi se bëhet fjalë për një lojtar që mund të jetë pjesë e ekipit kombëtar sapo të marrë ftesën nga Foda.

“Është futbollist që është i gatshëm për të qenë pjesë e Kosovës sapo të përzgjidhet nga Foda”, u shpreh menaxheri i FFK-së.

Shala tregoi gjithashtu se njëri prej futbollistëve kishte qenë i gatshëm të luante për Kosovën që në muajin shtator, por një dëmtim e pengoi të vinte.

“Njëri prej tyre ishte i gatshëm edhe për ta përfaqësuar Kosovën në shtator, por fatkeqësisht u lëndua dhe nuk erdhi”, tha ai.

Ndërkohë, një lojtar që aktivizohet në Gjermani ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën, ndërsa Shala sqaroi se nuk bëhet fjalë për Enis Rexhepin.

“Enis Rexhepi? Jo, ai është pjesë e Shqipërisë. Ne kemi kujdes shumë për lojtarët që luajnë për Shqipërinë. Është lojtar me të ardhme në Gjermani, me të cilin presidenti Ademi ka mbyllur diskutimet dhe ai ka pranuar të jetë pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës”, u shpreh Shala.

Edhe pse ende nuk ka konfirmim zyrtar, dyshohet se emri në fjalë mund të jetë talenti i Bayern Munichut, Yll Gashi, i cili luan me ekipin e dytë dhe është bashkëlojtar me Erblin Osmanin.//