Agim Aliçkaj, Drejtor Ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e ka konsideruar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës, si dhe miratimin e Projektligjit për Gjykatën Speciale, ndër zhvillimet më të rëndësishme të fundit në vend.
Të lidhura
None found
Në një deklaratë për gazetën “Bota sot”, Aliçkaj tha se këto vendime ndihmojnë në kapërcimin e krizës institucionale dhe krijojnë pritshmëri për një ndryshim të rëndësishëm në skenën politike të Kosovës.
Sipas tij, zgjedhja e presidentes së re dhe miratimi i Projektligjit për Gjykatën Speciale nga Kuvendi erdhën pas një periudhe të gjatë bllokimi institucional, të cilën ai e cilësoi të panevojshme.
Aliçkaj vlerësoi se vendi ndodhej përballë rrezikut të një krize edhe më të thellë politike e institucionale. Ai shtoi se zhvillimet e fundit, veçanërisht vendimi i kontestuar i Dhomave të Specializuara në Hagë për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, mund të kenë ndikuar në ndërgjegjësimin e aktorëve politikë për seriozitetin e situatës.
“Në fund mbizotëruan arsyeja dhe përgjegjësia ndaj shtetit. Përpjekjet e Serbisë dhe të faktorëve të tjerë për ta destabilizuar e dobësuar Kosovën morën një goditje të rëndësishme”, deklaroi ai.
Aliçkaj veçoi gjithashtu kontributin e liderëve politikë që morën pjesë në arritjen e marrëveshjes për zhbllokimin e institucioneve.

Ai përmendi në mënyrë të veçantë Kryeministrin Albin Kurti, kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, si dhe të gjithë personat që ndihmuan në gjetjen e kompromisit. Sipas tij, ata dëshmuan se bashkëpunimi është i mundur kur interesi i shtetit vendoset mbi atë personal dhe partiak.
“Hapja e rrugës për funksionimin e institucioneve është një hap i rëndësishëm për respektimin e vullnetit demokratik të qytetarëve, të shprehur në tri procese zgjedhore. Përmes tyre, qytetarët i dhanë besimin Kryeministrit Kurti dhe koalicionit të tij për një mandat të ri qeverisës”, tha Aliçkaj.
Ai nënvizoi se qytetarët presin tashmë rezultate të prekshme, përfshirë përmirësimin e mirëqenies, zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe konsolidimin e shtetit.
“Populli e ka dhënë besimin përmes votës. Tani Qeveria duhet ta justifikojë atë mbështetje me punë dhe rezultate”, u shpreh ai.
Duke folur për Presidenten e re, Aliçkaj theksoi se formimi i saj akademik, përvoja profesionale dhe angazhimi institucional mund të sjellin një mënyrë më bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse të drejtimit të institucionit të Presidentit.
Ai tha se ndër prioritetet e saj duhet të jenë forcimi i unitetit institucional, bashkëpunimi mes subjekteve politike dhe përfaqësimi dinjitoz i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Aliçkaj kërkoi që vëmendje e veçantë t’i kushtohet marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i cilësoi aleatin kryesor strategjik të Kosovës, si dhe integrimit euroatlantik, anëtarësimit në NATO dhe sigurimit të njohjeve të reja ndërkombëtare.
Sipas tij, Justina Shiroka-Pula duhet të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe jo përfaqësuese e një force politike. Ai vlerësoi se ajo duhet të bashkëpunojë me Qeverinë dhe Kuvendin, duke ruajtur njëkohësisht pavarësinë e përcaktuar nga Kushtetuta dhe dinjitetin e institucionit.
“Presidentja mund të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e dialogut mes pozitës dhe opozitës dhe në parandalimin e krizave të tjera. Mospajtimet janë pjesë normale e demokracisë, por nuk duhet të kthehen në bllokime që paralizojnë shtetin”, theksoi Aliçkaj.
Ai u shpreh se kriza e fundit duhet të shërbejë si mësim për ndryshime të nevojshme kushtetuese dhe ligjore, të cilat do të pamundësonin përdorimin e procesit të zgjedhjes së Presidentit si mjet për bllokimin e institucioneve.
“Zgjidhja më demokratike dhe më e qëndrueshme, sipas meje, është që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Nëse kjo nuk mund të realizohet së shpejti, duhet të rishikohen rregullat dhe interpretimi kushtetues për kuorumin e nevojshëm në zgjedhjen e Presidentit”, deklaroi ai.
Aliçkaj e quajti problematik interpretimin sipas të cilit në raundin përfundimtar duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë, ndërkohë që për zgjedhjen e Presidentit kërkohen 61 vota. Sipas tij, një rregull i tillë u jep mundësi deputetëve që mungojnë ta bllokojnë funksionimin e shtetit.
“Këtë nuk do ta quaja një dukuri demokratike, por ‘bllokadokratike’”, tha ai.
Duke folur për funksionimin e institucioneve pas krijimit të shumicës parlamentare, Aliçkaj nënvizoi se sigurimi i 61 deputetëve në Kuvend nuk është një proces i lehtë. Sipas tij, një forcë politike ose koalicion që arrin këtë shumicë duhet të ketë legjitimitetin dhe mundësinë reale për të ushtruar përgjegjësitë kushtetuese të qeverisjes.
Ai shtoi se të drejtat e opozitës dhe të komuniteteve joshumicë duhet të respektohen plotësisht, por nuk duhet të përdoren për paralizimin e institucioneve. Çdo ndryshim, sipas tij, duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe përmes procedurave demokratike.
Në pjesën për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Aliçkaj iu referua edhe përvojës së tij shumëvjeçare në veprimtarinë kombëtare shqiptaro-amerikane, krah Joe dhe Shirley DioGuardit.
Ai tha se kjo përvojë e ka bindur se Kosova është më e fuqishme kur liderët e saj bashkëpunojnë dhe ruajnë marrëdhënie të forta me Amerikën.
“Liria, pavarësia dhe ndërtimi i shtetit të Kosovës janë arritur përmes sakrificave të mëdha të popullit tonë dhe mbështetjes vendimtare të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë. Askush nuk duhet ta vërë në rrezik të ardhmen e këtij shteti për interesa të ngushta politike”, deklaroi Aliçkaj.
Ai shpresoi që zgjedhja e Presidentes Shiroka-Pula dhe marrëveshja që bëri të mundur daljen nga kriza të shënojnë nisjen e një periudhe të re stabiliteti, bashkëpunimi dhe përparimi.
“Kosova qëndron mbi çdo individ dhe mbi çdo parti politike. Interesi shtetëror dhe kombëtar duhet të jetë gjithmonë mbi interesat personale dhe partiake. E lumtur dhe e lavdishme qoftë rruga jote, Kosova jonë Dardane!”, përfundoi Aliçkaj për “Bota sot”.





