Trump vlerëson Elon Musk: “Thomas Edison i kohës sonë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i dorëzoi Medaljen Kombëtare të Shkencës Elon Musk, duke vlerësuar kontributin dhe ndikimin e drejtuesit të Tesla-s dhe SpaceX në fushën e teknologjisë.

Të lidhura

None found

Në ceremoninë e nderimeve u përfshinë edhe bashkëthemeluesi i Google, Sergey Brin, shefi ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, si dhe CEO-ja e AMD-së, Lisa Su.

Medaljen Kombëtare të Teknologjisë dhe Inovacionit, që konsiderohet vlerësimi më i lartë në SHBA për arritje teknologjike, Trump ia akordoi Michael Dell, themeluesit dhe drejtuesit ekzekutiv të Dell Technologies, si dhe Satya Nadella, CEO i Microsoft-it.

Megjithëse marrëdhënia mes Trump dhe Musk është ftohur disi gjatë muajve të fundit, pas nisjes së mandatit të dytë presidencial, presidenti amerikan shprehu publikisht vlerësimin e tij për sipërmarrësin.

“Sot nderojmë një titan të industrisë, një inxhinier të jashtëzakonshëm dhe një prej themeluesve më të mëdhenj të teknologjisë që ka jetuar ndonjëherë. Ai quhet Elon Musk. Pak amerikanë në historinë e vendit kanë bërë më shumë se Eloni për avancimin e interesave kombëtare të Amerikës”, deklaroi Trump.

Trump e cilësoi gjithashtu Musk-un si “Thomas Edison i kohës sonë”, ndërsa shtoi se ai është “miku im dhe një djalë shumë, shumë i zgjuar”.

Sipas rrjeteve amerikane, të gjithë personat e nderuar kanë dhënë në një formë ose në një tjetër kontribut për fushatat e Trump-it ose për kauzat e Partisë Republikane.

Musk iu bashkua për një periudhë të shkurtër administratës Trump, ku drejtoi një nismë për reduktimin e fuqisë punëtore federale. Ai ishte donatori privat më i madh i fushatës së presidentit gjatë vitit 2024, ndërsa Brin kontribuoi me shuma të konsiderueshme për Komitetin Kombëtar Republikan në vitin 2025.


Shtuar më 8.10.2026 21:03