Braçe: Më konsiderojnë ndikim negativ, por këtë betejë do ta përballoj i vetëm

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, deklaroi në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Now”, të moderuar nga Erla Mëhilli në Euronews Albania, se ka zgjedhur të mos përfshijë të tjerë në qëndrimin e tij kundër ndryshimeve të propozuara për Reformën Territoriale.

Gjatë diskutimit, ai u pyet nëse brenda PS-së ka kundërshtime lidhur me këtë reformë. Braçe tha se kundërshtimin e tij e kishte shprehur edhe këtë të enjte në Kuvend, ndërsa nënvizoi se po përballet vetë me këtë betejë.

Të lidhura

None found

Ai tregoi se në disa mbledhje të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste është cilësuar si person që ndikon negativisht edhe te deputetë të tjerë. Megjithatë, Braçe mohoi të ketë synuar ndonjëherë të ndikojë te të tjerët apo t’i tërheqë ata pas qëndrimeve të tij.

“Kam vendosur ta zhvilloj vetëm këtë betejë, pa dëmtuar dhe pa përfshirë askënd në këtë çështje. Kam bindjet e mia dhe, nëse dikush i ndan ato, është i lirë t’i diskutojë me mua ose me të tjerë. Por unë nuk kam tentuar asnjëherë të ndikoj te askush, sepse nuk dua t’i shkaktoj dëm askujt”, u shpreh ai.