Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka njoftuar se ka filluar të vlerësojë të dhënat mbi një dozë përforcuese të vaksinës Pfizer / Biontech, e cila do të jepet gjashtë muaj pas dozës së dytë te personat e moshës 16 vjeç e lart.
Vlerësimi fillon me kërkesën e kompanive farmaceutike Pfizer / Biontech, raporton albeu.com.
Në njoftimin e saj, EMA thekson se dozat përforcuese u jepen njerëzve të vaksinuar (dmth. njerëzve që kanë përfunduar vaksinimin e tyre kryesor) për të rikthyer mbrojtjen pasi të jetë zbutur.
“Komiteti i EMA-s do të kryejë një rishikim të përshpejtuar të të dhënave duke përfshirë rezultatet e një prove klinike në vazhdim, në të cilën afërsisht 300 të rritur me një sistem imunitar të shëndetshëm morën një dozë përforcuese prej afërsisht 6 muajsh nga doza e dytë”, thuhet në njoftim.
Rezultati i këtij vlerësimi pritet në javët e ardhshme./albeu.com