Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka sinjalizuar se nuk e përjashton mundësinë që të kandidojë për postin e kryetarit të partisë në zgjedhjet e brendshme që priten të mbahen vitin e ardhshëm.
Gjatë një interviste për KosovaPress, Hoti shprehu pakënaqësi ndaj udhëheqjes së tanishme të LDK-së, duke vënë në dukje se partia ka pësuar rezultate të dobëta në tri palë zgjedhje gjatë dy viteve të fundit dhe se ka ardhur koha për ndryshime në krye të saj.
Të lidhura
None found
Ai theksoi se LDK-së i duhet një ekip i ri drejtues, i cili do të sillte një riorganizim të thellë dhe do t’i jepte partisë energjinë e nevojshme për t’u bërë sërish një forcë konkurruese në arenën politike.
“Arbeni dhe disa të tjerë, përfshirë dy persona të tjerë që e kanë bërë publike dëshirën për të garuar për kreun e LDK-së, janë në garë. Zgjedhjet tona në LDK do të mbahen vitin e ardhshëm. Në këtë moment nuk mund të konfirmoj as të mohoj kandidaturën time për kryetar të LDK-së. Ajo për të cilën unë personalisht do të angazhohem është që zgjedhjet të zhvillohen sipas statutit të LDK-së. Dua zgjedhje plotësisht transparente, ku çdo anëtar i LDK-së e ka mundësinë, i di datat e kuvendeve në nëndegë dhe degë, regjistrohet dhe i jepet mundësia të shprehë vullnetin e tij. Gjithashtu, zgjedhje konkurruese, me disa kandidatë, ku eventualisht arrijmë në një pajtueshmëri rreth një kandidati që na çon përpara. Një gjë është e qartë: kështu si jemi nuk mund të vazhdojmë. LDK-së i duhet një lidership i ri për ta ristrukturuar, për t’i dhënë gjallëri dhe për ta kthyer aty ku e ka vendin,” deklaroi Hoti.
Hoti u zotua se do të punojë për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në përputhje me statutin e LDK-së, duke kërkuar një proces të hapur dhe me garë të vërtetë, ku të gjithë anëtarët do të kenë mundësinë të shprehin lirisht vullnetin e tyre.
Sipas tij, lidershipi aktual ka pasur kohë të mjaftueshme për të riorganizuar partinë, për të hartuar një strategji opozitare dhe për të ndërtuar ekipet e nevojshme për rikthimin e LDK-së, por rezultatet zgjedhore kanë treguar se këto objektiva nuk janë përmbushur.
Ai vlerësoi se pas tri proceseve zgjedhore me rezultate të dobëta, LDK-ja ka nevojë për një riorganizim të plotë të ekipit udhëheqës.
“Unë do të angazhohem gjerësisht për të siguruar një proces zgjedhor të rregullt, transparent dhe konkurrues, siç e përmenda. LDK-së i mungon lidershipi që sjell fitore. Kjo i mungon dhe prandaj ne duhet të gjithë të angazhohemi. Secili që ka vullnet të mirë duhet të angazhohet që të sigurojmë një proces konkurrent dhe transparent të zgjedhjeve, dhe jam i sigurt se nëse e garantojmë një proces të tillë, ky proces do ta nxjerrë në krye të LDK-së personin që mund ta çojë partinë përpara. Unë do të kontribuoj në këtë proces… Ajo që po them është se kemi kaluar në tre procese zgjedhore si Lidhje Demokratike e Kosovës në dy vitet e fundit, në të cilat rezultati ka qenë jashtëzakonisht i dobët. Dhe kjo pas katër vitesh qëndrimi në opozitë. Pra, ajo që po përpiqem të them është se lidershipi aktual e ka pasur një mandat të plotë për ta organizuar partinë, për të ndërtuar strategjinë opozitare, strategjinë e fushatës, për të ndërtuar ekipet e nevojshme dhe vizionin e vet, si dhe ekipin për realizimin e atij vizioni, por fatkeqësisht rezultatet për LDK-në janë këto që janë, dhe tani jemi sërish në opozitë. Tash na duhet një energji krejtësisht e re dhe një riorganizim i plotë i ekipit udhëheqës të LDK-së,” nënvizoi ai.








