Gjatë seancës ku po dëshmonte Albulena Muja Bajraktari, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, u regjistruan tensione mes saj dhe deputetes Adelina Tërshani, anëtare e Komisionit Hetimor Parlamentar që po shqyrton rrethanat e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Tërshani e pyeti atë rreth mënyrës se si ishin zhvilluar bisedat për nevojën e rritjes së kapaciteteve në drejtorinë që ajo udhëheq, duke shprehur dyshime se këto tema ishin trajtuar në mënyrë joformale, jashtë kanaleve zyrtare të protokolluara të kërkesave.
Të lidhura
None found
Anëtarja e komisionit kërkoi më tej sqarime nëse diskutime të tilla mund të kishin ndodhur edhe në hapësira si kafeneja që ndodhet brenda ndërtesës.
“Jo, takimet mbahen në sallën e takimeve”, u shpreh Muja Bajraktari.
Në atë moment, Tërshani ndërhyri për t’i bërë të qartë drejtoreshës se pyetjet e saj nuk duhet të interpretoheshin si një sulm ndaj personit.
“Veç të lutna, a e din që nuk jam duke të sulmu, veç jam t’u t’pyet”, tha ajo.
Nga ana tjetër, drejtoresha u përgjigj se pyetja i ishte dukur e njëanshme, duke këmbëngulur se diskutimet nuk bëheshin në kafene, por në sallën e takimeve.
“M’u duk tendencioze, se në kafe nuk diskutohen, është salla e takimeve”, theksoi ajo.
Ky shkëmbim i ashpër fjalësh ndodhi në kuadër të Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili po heton përgjegjësitë e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ndryshe nga kjo, Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndërhyrje urgjente nga zyrtarët e institucioneve përgjegjëse vetëm tre ditë para se të vritej.







