NLB Banka, së bashku me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka organizuar një takim informues për klientët e saj biznesorë, si pjesë e përkushtimit të saj të pandërprerë për të fuqizuar dhe zhvilluar bizneset në Kosovë. Ky aktivitet u përqendrua te mundësitë e financimit, investimet teknologjike dhe procesi i transformimit digjital.
Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit patën rastin të njiheshin me zgjidhjet financiare dhe skemat mbështetëse që u hapin rrugë bizneseve për të investuar në modernizimin e proceseve, përmirësimin e efikasitetit operacional dhe fuqizimin e pozitës së tyre konkurruese në treg.
Të lidhura
None found
Në fjalën e tij hapëse, Yll Sejdiu, Anëtar i Bordit Udhëheqës të NLB Bankës, vuri në dukje rëndësinë e partneriteteve strategjike me institucione ndërkombëtare si BERZH për krijimin e mundësive të reja për sipërmarrjet vendase. Ai ritheksoi se NLB Banka mbetet një partner i besueshëm në zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme të tyre.
Mundësitë e financimit dhe të mbështetjes për bizneset u prezantuan nga Dafina Hasani, Udhëheqëse e Njësisë së Klientëve Korporatë në NLB Banka, si dhe nga Bleta Begu e Mentor Rexhepi, konsulentë të programit, dhe Leonora Kusari, përfaqësuese e BERZH-it. Vëmendje e veçantë iu kushtua programit Go Digital, investimeve në digjitalizim dhe automatizim, si dhe shërbimeve këshilluese për ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e proceseve të biznesit.
Në përmbyllje të aktivitetit, klientët dhe përfaqësuesit e NLB Bankës dhe BERZH-it zhvilluan një bashkëbisedim të hapur, i cili krijoi hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe shqyrtimin e mundësive konkrete për zhvillimin e bizneseve.
Nëpërmjet partneriteteve të këtij lloji, NLB Banka vijon të përkrahë bizneset në rrugën e tyre drejt inovacionit, digjitalizimit dhe rritjes së qëndrueshme.







