Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka sqaruar se statusi i sigurimit shëndetësor për punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme përcaktohet në mënyrë automatike nga sistemi, i cili bazohet në të dhënat elektronike për paraqitjet dhe kontributet e paguara që merren nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
Nga Fondi nënvizojnë se nuk kryhet asnjë përjashtim manual i të siguruarve dhe nuk merren vendime individuale për ndërprerjen e sigurimit të tyre. Bëhet fjalë për një mekanizëm sistematik që zbatohet njësoj për të gjitha subjektet juridike, duke përfshirë edhe institucionet shtetërore.
Të lidhura
None found
Aktualisht po punohet me intensitet për të kapërcyer gjendjen e tanishme me sigurimin shëndetësor të të punësuarve në MPB dhe për të gjetur një zgjidhje të përhershme sistematike, e cila do të parandalojë përsëritjen e situatave të ngjashme, bëjnë të ditur nga FSSH. Sipas tyre, gjendja lidhet me paraqitjet shtesë të punonjësve për periudhën e kaluar, të bëra në bazë të vendimeve gjyqësore, gjë që kërkon harmonizim adekuat të përllogaritjeve dhe pagesës së kontributeve. Fondi shton se edhe vetë është përballur më herët me këtë lloj situate, çka konfirmon se nuk bëhet fjalë për një procedurë të drejtuar ndaj një institucioni apo kategorie të caktuar punonjësish. Me nismën e FSSH-së tashmë është formuar grupi ndërinstitucional i punës, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të institucioneve kompetente; deri tani janë mbajtur disa takime pune dhe po shqyrtohen zgjidhje konkrete për të eliminuar shkaqet që sjellin gjendje të tilla.








