Rafael Grossi, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), po synon postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në një garë të fortë për të pasuar Antonio Guterres.
Diplomati argjentinas është i dyti në sondazhin e fundit paraprak të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pas kandidates nga Kosta Rika, Rebeca Grynspan. Grossi ka siguruar nëntë vota inkurajuese dhe katër kundërshtuese, ndërsa në garë marrin pjesë edhe tetë kandidatë të tjerë.
Të lidhura
None found
Pavarësisht përvojës së tij në diplomacinë ndërkombëtare dhe në drejtimin e IAEA-së, kandidatura e Grossit ndeshet me disa pengesa të rëndësishme. Njëra prej tyre ka të bëjë me perceptimin se ai është i afërt me presidentin amerikan Donald Trump dhe me homologun argjentinas, Javier Milei.
Që nga momenti kur mori drejtimin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në vitin 2019, Grossi është kthyer në një nga figurat më aktive të diplomacisë ndërkombëtare në menaxhimin e krizave. Ai ka udhëhequr personalisht misionet e inspektimit në centralet bërthamore të Zaporizhzhias dhe Çernobilit në Ukrainë, pas nisjes së pushtimit rus në vitin 2022.
Nëpërmjet një qasjeje të përqendruar te siguria teknike e centraleve dhe te negociatat me palët në konflikt, ai ka ndihmuar në arritjen e disa armëpushimeve lokale, të cilat kanë bërë të mundur riparimin e infrastrukturës kritike. Ekspertët vlerësojnë se Grossi e ka forcuar ndjeshëm profilin ndërkombëtar të agjencisë, duke e shndërruar atë nga një institucion kryesisht teknik në një aktor me peshë në diplomacinë ndërkombëtare. Megjithatë, angazhimi i tij në konfliktin ukrainas ka shkaktuar pakënaqësi në Moskë, e cila e konsideron ndërhyrjen e tij përtej kompetencave të drejtuesit të agjencisë.
Për t’u zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së, një kandidat duhet të marrë të paktën nëntë vota nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe të mos përballet me veton e asnjërit prej pesë anëtarëve të përhershëm: SHBA-së, Rusisë, Kinës, Francës dhe Britanisë së Madhe. Pikërisht ky mekanizëm përbën një nga sfidat kryesore për kandidaturën e Grossit.
Sipas raportimeve të mediave, Kina ka shprehur rezerva për kandidaturën e tij për shkak të marrëdhënieve të afërta me Uashingtonin dhe pritet të mbështesë Rebeca Grynspan.
Edhe Irani e ka kritikuar drejtuesin e IAEA-së, duke e akuzuar agjencinë për raportime të njëanshme dhe të ndikuara nga SHBA-ja dhe vendet europiane lidhur me programin bërthamor iranian. Teherani nuk e sheh Grossin si një figurë të paanshme, veçanërisht pas vlerësimeve të agjencisë mbi rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit. Megjithatë, analistët mendojnë se kundërshtimet e Teheranit nuk pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në votimin e Këshillit të Sigurimit.
Një tjetër vështirësi për diplomatin argjentinas lidhet me marrëdhëniet e tij politike me presidentin Javier Milei dhe mbështetjen e mundshme nga Donald Trump. Të dy liderët kanë mbajtur qëndrime kritike ndaj OKB-së dhe institucioneve ndërkombëtare, ndërsa administrata aktuale amerikane ka tërhequr financime dhe mbështetje nga disa prej strukturave të organizatës. Milei, nga njëra anë, ka vënë në pikëpyetje rolin e institucioneve ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, ka rihapur përplasjen me Britaninë e Madhe për ishujt Falkland.
Sipas analistëve, Grossi shihet si një kandidat që mund të mbështesë një reformim të OKB-së në përputhje me vizionin e Trump dhe Mileit, me synim reduktimin e strukturave burokratike dhe bashkimin e disa agjencive. Megjithatë, kjo qasje ka ngritur shqetësime se organizata mund të largohet nga misioni i saj për zhvillimin, barazinë dhe mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare.
Ndërkohë, një fushatë ndërkombëtare e shoqërisë civile po kërkon që për herë të parë në historinë 81-vjeçare të OKB-së, në krye të organizatës të zgjidhet një grua.
Mandati i Antonio Guterres përfundon më 31 dhjetor, çka e bën garën për pasuesin e tij gjithnjë e më të rëndësishme.








