Edion Dërguti mori një ftesë zyrtare për prova nga Sevilla, por klubi i tij, Lausanne-Sport, ia pamundësoi mesfushorit të talentuar këtë hap në karrierë.
Prej disa muajsh, Sevilla është në kërkim të një mesfushori me stil loje të ngjashëm me atë të Sergio Busquets. Klubi spanjoll u interesua për Dërgutin pas paraqitjeve të tij te të rinjtë e Lausanne-Sport.
Të lidhura
None found
Pasi e ndoqi nga afër lojtarin e ri dardan, Sevilla mbeti e impresionuar dhe e ftoi në prova. Më pas, klubi do të vendoste nëse do t’i ofronte një kontratë profesionale.
Sipas burimeve të Telegrafit, Lausanne-Sport nuk pranoi të diskutonte me Sevillan për këtë lëvizje. Klubi zviceran kërkoi që transferimi të bëhej vetëm përmes aktivizimit të klauzolës së lirimit.
Të njëjtat burime thonë se Lausanne-Sport nuk po hyn në negociata as me klubet e tjera të interesuara në Zvicër. Dërguti nuk është promovuar as në ekipin e dytë të klubit dhe vazhdon të stërvitet me U19.
Aktualisht, Dërguti vlerësohet si një prej talenteve më të spikatura në Zvicër. Për mënyrën si luan, ai krahasohet shpesh me legjendën e Spanjës dhe Barcelonës, Busquets.
Kosova zgjedhja e Dërgutit, ndonëse interesohet edhe Zvicra
17-vjeçari është ftuar nga Kosova U19 për tri ndeshjet e këtij muaji kundër Belgjikës, Skocisë dhe Kazakistanit, të vlefshme për kualifikimet e Euro U19.
Edhe Zvicra po e ndjek mesfushorin dhe e ka përfshirë në listën rezervë të përfaqësueses U18.
Megjithatë, Telegrafi mëson se Dërguti, i cili ka tipare defansive, dëshiron të luajë vetëm për Kosovën dhe nuk po shqyrton asnjë ofertë tjetër nga përfaqësueset kombëtare.
Me futbollistin kanë kontaktuar edhe disa klube të njohura gjermane.








