Alarmi i zjarrit u aktivizua papritur në një avion të Ryanair që po fluturonte nga Barcelona për në Venecia, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve. Shkak rezultoi të ishte një student spanjoll që ishte futur në tualet për të përdorur cigaren elektronike.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi paraditen e së dielës, më 8 nëntor. I riu po shkonte në Venecia me shokët e klasës në kuadër të një ekskursioni shkollor.
Të lidhura
None found
Studenti kishte menduar se mund ta përdorte cigaren elektronike pa u vënë re, megjithëse ndalimi ishte shënuar qartë në derën e tualetit. Tymi i krijuar në hapësirën e ngushtë u diktua nga detektorët, të cilët ndezën alarmin e zjarrit në të gjithë avionin.
Sirena shqetësoi dhjetëra udhëtarë, por ekuipazhit iu deshën vetëm pak sekonda për të gjetur burimin e alarmit. U verifikua se nuk kishte zjarr, problem teknik apo rrezik për jetën e pasagjerëve.
Edhe pse i riu u përpoq ta mohonte veprimin, komandanti kërkoi praninë e policisë pas uljes normale të avionit në aeroportin Marco Polo të Venecias. Studenti u shoqërua në ambientet e Policisë Kufitare dhe tani mund të përballet me pasoja ligjore.
Ai rrezikon një gjobë që kalon 2 mijë euro, kallëzim në prokurori, përfshirë atë për të miturit nëse është nën 18 vjeç, si dhe përjashtim nga fluturimet e ardhshme me Ryanair.
Në Itali, neni 1231 i Kodit të Navigacionit ndalon pirjen e duhanit gjatë fluturimit, si për cigaret e zakonshme, ashtu edhe për ato elektronike. Mes rreziqeve kryesore është zjarri në bord, që mund të shkaktohet nga hiri i ndezur ose nga bateritë e litiumit të cigareve elektronike.
Pirja e duhanit mund të cenojë edhe cilësinë e ajrit në avion, i cili filtrohet dhe riciklohet vazhdimisht.






