Deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi, ka kërkuar nga Qeveria dhe Banka Popullore të shpjegojnë rrethanat që mundësuan hyrjen e Alta Bankës në tregun bankar të Maqedonisë së Veriut. Ai ka vënë në pikëpyetje mënyrën e dhënies së lejes për bankën.
Duke folur në emisionin “Debat në Shenja”, Bytyqi tha se LSDM-ja po e ngre këtë çështje prej rreth një viti e gjysmë. Sipas tij, rasti duhet shqyrtuar edhe në raport me zhvillimet në Serbi dhe ndikimin e mundshëm politik e financiar në Maqedoninë e Veriut.
Të lidhura
None found
“Mirë që po e trajtojmë këtë temë, sepse nuk është një çështje e javës së kaluar. Prej pothuajse një viti e gjysmë, si LSDM, po përpiqemi ta bëjmë të njohur. Kjo është pasojë e shkakut: pse u lejua Alta Banka në vend. Kemi pyetur pse Alta Banka dhe jo banka të tjera, pasi ajo nuk ka reputacion të mirë. Madje, pronari i saj është ndaluar nga Banka Qendrore dhe figuron në listën e zezë. Tani po shohim çfarë po ndodh në Serbi; ai u arrestua”, u shpreh Bytyqi.
Ai tha se paratë “kanë qenë diku jashtë bankës, vetëm kanë figuruar”, dhe kërkoi që institucionet të japin shpjegime për lejimin e veprimtarisë së bankës. “Ne e quajmë këtë hyrje të kapitalit koroziv. A ishte Alta Banka vetëm një mënyrë për të sjellë ndikimin për të cilin ka folur edhe KE-ja, të botës serbe në Maqedoni? Dhe a ishte kjo shlyerje e një borxhi që Qeveria e kishte marrë nga patroni i tyre, Vuçiqi?”, deklaroi ai.







