Erzen Elezi, drejtor i Spitalit të Tetovës, ishte i ftuar në emisionin PodGo të Telegrafi Maqedoni, ku foli për punën e spitalit, punësimet dhe investimet e planifikuara.
Sipas Elezit, gjatë drejtimit të tij janë punësuar 162 persona dhe pritet që numri i punësimeve të arrijë në 200. Ai bëri të ditur se javën tjetër do të pranohen edhe 22 administratorë. Ndërkohë, numri i specializantëve që pritet të pranohen ka ndryshuar nga 22 në 42, pas një dokumenti zyrtar të marrë nga Ministria e Shëndetësisë.
Të lidhura
None found
Elezi u shpreh se Spitali i Tetovës po ecën në drejtimin e duhur, ndërsa vlerësimin për punën e kryer duhet ta bëjnë pacientët dhe qytetarët. Ai tha se spitali u ofron qytetarëve shërbimin e duhur, por mungesa e personelit ka bërë që, në raste të rënda, pacientët të dërgohen në Klinikat e Shkupit.
Duke folur për investimin e paralajmëruar nga Banka Botërore, drejtori tha se në Spitalin e Tetovës do të ndërtohen tre ndërtesa të reja dhe do të rinovohen plotësisht objektet internistike dhe kirurgjikale.
Elezi, i cili ka punuar për një kohë të gjatë si urolog, u pyet edhe për kancerin e prostatës. Ai theksoi se pacientët nuk duhet t’i lënë pas dore kontrollet e rregullta: masat parandaluese duhet të nisin te mjeku amë, ndërsa kontrolli te urologu duhet të bëhet çdo gjashtë muaj. Sipas tij, brenda vitit ka pasur 465 pacientë të rinj me kancer të prostatës.







