Triumf 9-1 ndaj Lensit, Fabregas paralajmëron Comon: Duhet të ruajmë përulësinë

Cesc Fabregas u bëri thirrje futbollistëve të Comos të mos humbin përqendrimin pas fitores së jashtëzakonshme 9-1 kundër Lensit në Ligën e Kampionëve, duke theksuar rëndësinë e qëndrimit me këmbë në tokë.

Klubi italian siguroi suksesin e parë si mysafir në historinë e tij në Ligën e Kampionëve dhe e arriti në mënyrën më bindëse të mundshme. Me nëntë gola të shënuar në Francë, Como vendosi një rekord të ri për skuadrat italiane në këtë kompeticion.

Të lidhura

None found

Tasos Douvikas ishte protagonisti kryesor me het-trik, ndërsa golat e tjerë u realizuan nga Nico Paz, Lucas Da Cunha, Marc-Oliver Kempf, Mattia Liberali, Martin Baturina dhe 17-vjeçari Matteo Papaccioli, i cili shënoi në debutimin e tij.

Për Comon, kjo ishte paraqitja e katërt në historinë e Ligës së Kampionëve. Ekipi i drejtuar nga Fabregas kishte mposhtur më herët RB Leipzigun dhe Manchester Unitedin me rezultatin 4-1, ndërsa ishte mundur 3-2 nga Feyenoordi.

“Është edhe ndeshja jonë e katërt në histori të Ligës së Kampionëve, kështu që numri katër është kyç për ne”, u shpreh me buzëqeshje Fabregas për Sky Sport Italia.

Trajneri spanjoll pranoi se rrethanat kishin favorizuar skuadrën e tij, por nënvizoi se tashmë fokusi duhet të zhvendoset te takimi i ardhshëm në Serie A ndaj kampionit në fuqi, Interit.

“Jam i lumtur. Ky është futbolli dhe gjithçka shkoi në favorin tonë. Djemtë bënë një punë të shkëlqyer, por tani duhet të përgatitemi për një ndeshje shumë të rëndësishme të dielën”, deklaroi ai.

Fitorja ndaj Lensit ishte e gjashta radhazi për Comon në të gjitha kompeticionet, duke konfirmuar formën e shkëlqyer të skuadrës. Rezultati 9-1 ishte gjithashtu historik, pasi asnjë ekip italian nuk kishte shënuar më shumë se gjashtë gola në transfertë në Ligën e Kampionëve apo në Kupën e Evropës.

“Është një natë e mrekullueshme për Comon, për të gjithë tifozët tanë dhe për shumë futbollistë që janë në fillim të karrierës. Por duhet t’i mbajnë këmbët në tokë, të jenë modestë, të vazhdojnë të mësojnë dhe të mos mendojnë se gjithçka do të shkojë mirë edhe në të ardhmen. Duhet të vazhdojnë të punojnë për t’i përsëritur këto paraqitje”, shtoi Fabregas.

Pas këtij rezultati, Como mban vendin e katërt në renditjen e përgjithshme të Ligës së Kampionëve, në gjysmën e fazës së ligës. Ndeshjen e radhës italianët do ta luajnë në shtëpi kundër AEK Athinës, përpara transfertës ndaj Real Betisit. Në vijim, ata do të kenë përballje të vështira me Paris Saint-Germainin dhe Barcelonën.

Fabregas tregoi se kalendari i dy ndeshjeve të fundit e kishte bindur të kërkonte një numër sa më të madh pikësh në takimet e para.

“Kur pashë se dy ndeshjet e fundit ishin ndaj PSG-së dhe Barcelonës, mendova se duhej të merrnim sa më shumë pikë në fillim. Asgjë nuk është e pamundur, por këto janë dy skuadra të një niveli më të lartë se të tjerat”, përfundoi trajneri spanjoll.


Shtuar më 4.11.2026 23:55