Bedrije Kurtaj ende përpiqet të kuptojë se si humbi jetën vajza e saj 22-vjeçare. Dokumentet mjeko-ligjore dhe ndryshimi i dukshëm mes lëndimeve të saj dhe atyre të shoferit kanë lënë të hapura pyetje për atë që ndodhi.
Kosovare Kurtaj vdiq në vitin 2010, në një rast të cilësuar si aksident trafiku. Edhe pas 16 vjetësh, nëna e saj, Bedrija, kërkon që rrethanat e vdekjes të sqarohen plotësisht.
Të lidhura
None found
Ajo dyshon për mënyrën se si ndodhi ngjarja dhe thotë se institucionet e drejtësisë nuk hetuan mjaftueshëm për të zbuluar të vërtetën.
Sipas Bedrije Kurtajt, dyshimet e para iu shfaqën kur nuk e lejuan ta shihte trupin e së bijës. Më pas, disa telefonata që mori pas vdekjes së vajzës ia shtuan shqetësimet.
Ajo thotë se prej kohësh nuk ka më kontakt me njerëzit që mund të dinë diçka për rastin, mes tyre dëshmitarin kryesor dhe ish-bashkëjetuesin e vajzës së saj.
Familja e konsideron mungesën e një hetimi të plotë një nga çështjet kryesore dhe kërkon që të sqarohen të gjitha rrethanat që çuan në vdekjen e 22-vjeçares.
Dokumentet që ka siguruar Kiks Kosova përmbajnë të dhëna nga raportet mjeko-ligjore të hartuar pas ngjarjes.
Raporti i autopsisë, i datës 6 dhjetor 2010, dy ditë pas vdekjes, shënon se Kosovare Kurtaj ishte pa rroba në momentin kur vdiq.
Fotografitë dhe dokumentacioni i autopsisë evidentojnë lëndime të shumta në trupin e saj, nga gërvishtjet në këmbë deri te dëmtimet në vesh. Mjeku ligjor, megjithatë, arriti në përfundimin se ato ishin shkaktuar nga një aksident trafiku.
Pesë vjet pas varrimit, trupi i saj u zhvarros me kërkesë të familjes, për t’iu bërë një autopsi e dytë dhe për të hedhur dritë mbi shkaqet e vdekjes.
Raporti i dytë u mbështet edhe në të dhënat e raportit emergjent të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Sipas tij, Kosovare kishte 3 pikë në shkallën e Glazgout (GCS), vlerësim që tregon mungesë reagimi.
Raporti për shoferin përshkruante një gjendje tjetër: atij i ishin konstatuar mavijosje në kraharor, pjesën e poshtme të shpinës dhe zonën e belit, si dhe një plagë të vogël në veshin e djathtë.
Shoferi kishte marrë 15 pikë në shkallën e Glazgout, çka tregonte se gjatë ekzaminimit ishte plotësisht i vetëdijshëm.
Ndryshimi mes gjendjes së pasagjeres dhe asaj të shoferit ka shtuar pikëpyetjet për rrethanat e ngjarjes, sidomos për mënyrën se si Kosovare Kurtaj përfundoi jashtë automjetit.
Në një opinion të përbashkët, pesë mjekë ligjorë vlerësuan se lëndimet e saj ishin shkaktuar kur rrota e automjetit kaloi mbi kokën e viktimës.
Avokati Ramë Dreshaj, i cili është marrë me çështjen e Kosovare Kurtajt, thotë se ka konsultuar privatisht disa ekspertë të huaj. Sipas tij, pas shqyrtimit të provave, ata kanë vlerësuar se ngjarja nuk ishte një aksident i zakonshëm trafiku.
Dreshaj pretendon gjithashtu se ka deklaratën e një dëshmitari të ngjarjes, i cili ka marrë azil në Francë, pasi, sipas arsyetimit të tij, nuk mund të jetonte në Kosovë pas asaj që kishte ndodhur.
Familja Kurtaj vazhdon të kërkojë përgjigje për vdekjen e vajzës edhe pas 16 vjetësh. Rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet se hetimet nuk u kryen plotësisht presin ende sqarim nga institucionet përgjegjëse.







